Në mbledhjen e radhës së Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB) u trajtuan një sërë çështjesh me rëndësi për forcimin e mëtejshëm të standardeve evropiane në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale duke reflektuar zhvillimet e fundit që lidhen me transferimet ndërkombëtare të të dhënave, certifikimin dhe përdorimin e teknologjive të reja.
Në fokus të diskutimeve ishin opinionet mbi projektvendimet e autoriteteve mbikëqyrëse të Holandës dhe Belgjikës, lidhur me Rregullat e Detyrueshme të Korporatës për kontrolluesit e të dhënave të grupeve ndërkombëtare SLB dhe Kuwait Petroleum, procese të rëndësishme për garantimin e transferimeve ndërkombëtare në përputhje me kërkesat e rregullores evropiane për mbrojtjen e të dhënave.
Gjithashtu, u shqyrtua një opinion mbi projektvendimin e autoritetit të Finlandës për akreditimin e një organi certifikues, në përputhje me nenin 43 të Rregullores Evropiane për Mbrojtjen e të Dhënave, duke theksuar rëndësinë e mekanizmave të besueshëm të certifikimit në rritjen e nivelit të përputhshmërisë.
Mbledhja trajtoi edhe Programin e Brendshëm të Punës për periudhën 2026–2027, i cili përcakton prioritetet strategjike të Bordit, si dhe udhëzimet mbi kërkimin shkencor, me fokus në përputhshmërinë ligjore, e-qeverisjen dhe sektorin e shëndetësisë.
Ndër çështjet e tjera të rëndësishme ishin analiza krahasuese e marrëveshjeve ekzistuese të bashkëpunimit ndër-rregullator, si dhe raportet periodike, përfshirë raportin gjashtëmujor të Komitetit të Mbikëqyrjes së Koordinuar dhe raportin vjetor të aktiviteteve për vitin 2025.
Në vijim, u diskutuan zhvillimet më të fundit lidhur me çështjen Amazon, si dhe iniciativat që lidhen me përdorimin e inteligjencës artificiale, përfshirë projektin për krijimin e një mjeti të inteligjencës artificiale për autoritetet mbikëqyrëse dhe përdorimin e saj nga vetë autoritetet e mbrojtjes së të dhënave.
Në përfundim, u trajtuan edhe procedurat e akreditimit në nivel evropian dhe roli i Bordit në vlerësimin e skemave të certifikimit sipas rregullores për mbrojtjen e të dhënave, me synimin për miratimin e tyre si Vula Evropiane të Mbrojtjes së të Dhënave.
Në këtë mbledhje mori pjesë edhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, duke ndjekur nga afër diskutimet dhe zhvillimet më të fundit në nivel evropian në këtë fushë