Të dhënat e hapura dhe ripërdorimi i informacionit publik në Shqipëri: progres i dukshëm, por sfida përpara

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka publikuar raportin mbi zbatimin e ligjit nr. 33/2022 “Për të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e informacionit të sektorit publik”, duke ofruar një pasqyrë të plotë të nivelit të zbatimit të këtij kuadri ligjor në Shqipëri.

Raporti vlerëson progresin e arritur si dhe evidenton sfidat dhe nevojat për përmirësim në organet e sektorit publik dhe sipërmarrjet. Sipas të dhënave të mbledhura përmes një pyetësori të adresuar në 312 institucione, me një shkallë reagimi prej rreth 77%, vihet re një angazhim në rritje i organeve publike në drejtim të transparencës dhe publikimit të të dhënave.

Ndër gjetjet kryesore të raportit rezulton se, 177 institucione kanë miratuar dhe publikuar listën e të dhënave të hapura, 187 institucione kanë krijuar rubrikën “Open Data” në faqet zyrtare dhe 195 institucione kanë caktuar persona kontakti për të dhënat e hapura.

Këta tregues dëshmojnë për një progres të rëndësishëm në krijimin e mekanizmave të publikimit të të dhënave me qëllim ripërdorimin e tyre.

Raporti evidenton gjithashtu se shumica e institucioneve i publikojnë të dhënat pa tarifa, në përputhje me parimin e aksesit të lirë realizuar përmes faqeve zyrtare. Megjithatë, përdorimi i formateve të standardizuara dhe licencave për ripërdorim mbetet ende i kufizuar.

Gjetje të rëndësishme lidhen me kapacitetet institucionale, ku mbi 80% e institucioneve kanë caktuar persona përgjegjës për të dhënat e hapura, por përballen ende me mungesë burimesh njerëzore të specializuara, kapacitete teknike dhe mbështetje financiare. Raporti identifikon si sfida kryesore nevojën për rritjen e kapaciteteve dhe trajnimeve praktike, përmirësimin e infrastrukturës teknologjike, standardizimin e formateve, rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e ripërdorimit të të dhënave.

Në përfundim, Zyra e Komisionerit vlerëson se, ndonëse janë hedhur baza të rëndësishme institucionale, zbatimi i ligjit mbetet në një fazë zhvillimi dhe kërkon përforcim të mëtejshëm. Në këtë kuadër, Zyra do të vijojë rolin e saj aktiv në monitorim, udhëzime dhe trajnime, me synim përmirësimin e publikimit të të dhënave dhe nxitjen e ripërdorimit të informacionit publik.

Lidhja e Raportit

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie me qëllim përmirësimin e përvojës së përdoruesit.
Cookie-t ruhen në shfletuesin tuaj dhe mundësojnë funksione të ndryshme, përfshirë njohjen e vizitave të përsëritura në faqe, si dhe analizimin e mënyrës së përdorimit, në mënyrë që të kuptojmë cilat seksione ju duken më relevante, interesante dhe të dobishme.

Politikat e privatësisë