Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale mori pjesë në seminarin ndërkombëtar “Case Handling Workshop – FOI 2026”, i zhvilluar në Tallinn, Estoni, me pjesëmarrjen e rreth 30 përfaqësuesve nga autoritetet përgjegjëse për transparencën, të drejtën për informim dhe të dhënat e hapura nga vende të ndryshme evropiane.
Zyra e Komisionerit u përfaqësua nga znj. Emerlinda Pema, Drejtor i Drejtorisë së Monitorimit të Programeve të Transparencës, znj. Alketa Sata, Inspektor në Drejtorinë e të Dhënave të Hapura dhe Konsultimit Publik, si dhe znj. Bora Tafa, Inspektor në Drejtorinë e Monitorimit të Programeve të Transparencës.
Seminari u organizua nga Inspektoriati i Mbrojtjes së të Dhënave të Estonisë dhe u fokusua në shkëmbimin e eksperiencave dhe praktikave më të mira për gjetjen e balancës ndërmjet të drejtës për informim dhe të drejtës së aksesit sipas nenit 15 të GDPR-së, si dhe në zbatimin e legjislacionit për të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e informacionit publik.
Gjatë ditës së parë, kushtuar ripërdorimit të informacionit të sektorit publik, përfaqësueset e Zyrës së Komisionerit zhvilluan prezantimin e parë të seminarit, duke paraqitur kuadrin ligjor shqiptar për të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e informacionit publik, si dhe masat e ndërmarra për ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe rritjen e ndërgjegjësimit për zbatimin e këtij ligji. Prezantime mbi këtë tematikë u zhvilluan gjithashtu nga autoritetet e Azerbajxhanit, Kroacisë, Hungarisë dhe Estonisë.

Në kuadër të seminarit, znj. Emerlinda Pema, në cilësinë e përfaqësueses së Sekretariatit të ICIC, informoi pjesëmarrësit edhe mbi ecurinë e përgatitjeve për Konferencën Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit (ICIC) të këtij viti.
Dita e dytë iu kushtua trajtimit të rasteve praktike që lidhen me dallimet dhe ndërveprimin ndërmjet të drejtës për informim dhe të drejtës së aksesit në të dhënat personale sipas GDPR-së. Përfaqësues nga Zvicra, Gjermania, Sllovenia, Spanja dhe Estonia prezantuan raste konkrete dhe praktika institucionale në këtë fushë.
Pjesëmarrja e Zyrës së Komisionerit në këtë aktivitet shërbeu për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, shkëmbimin e eksperiencave profesionale dhe promovimin e praktikave shqiptare në fushën e transparencës, të drejtës për informim dhe të dhënave të hapura.