Në kuadër të misionit për promovimin e kulturës së mbrojtjes së të dhënave personale dhe ndërgjegjësimin e grupeve të veçanta të shoqërisë, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale zhvilloi më datë 22 korrik 2026, një aktivitet informues me të miturit dhe stafin administrativ në Institutin e të Miturve në Kavajë.
Aktiviteti u organizua në zbatim të Ligjit nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i cili forcon standardet për mbrojtjen e të dhënave personale dhe i kushton një vëmendje të veçantë mbrojtjes së të dhënave personale të fëmijëve dhe të miturve. Njëkohësisht, Pjesa III e ligjit parashikon garanci të posaçme për përpunimin e të dhënave personale në kuadër të fushës së drejtësisë penale dhe sigurisë publike.
Në këtë aspekt, zhvillimi i aktivitetit në Institutin e të Miturve synoi të promovojë njohjen e të drejtave që gëzon çdo individ për mbrojtjen e të dhënave të tij personale, duke i kushtuar vëmendje edhe kontekstit në të cilin ndodhen të miturit e akomoduar në këtë institucion.
Fjalën hapëse e mbajti znj. Renata Neli, Drejtore e Drejtorisë së Mbikëqyrjes në Fushën e Drejtësisë Penale dhe Sigurisë Publike në Zyrën e Komisionerit, e cila theksoi rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave personale si një e drejtë themelore e çdo individi dhe shprehu angazhimin e vazhdueshëm të institucionit për forcimin e standardeve të mbrojtjes së të dhënave personale, rritjen e ndërgjegjësimit dhe edukimin e qytetarëve, veçanërisht të rinjve, mbi të drejtat e tyre.
Gjithashtu, znj. Desara Avdulaj, Inspektore në Zyrën e Komisionerit, mbajti një prezantim mbi rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave në epokën digjitale, përdorimin e sigurt të teknologjisë dhe rrjeteve sociale, si dhe rreziqet që lidhen me ekspozimin e të dhënave personale në internet dhe jo vetëm.
Përmes një bashkëbisedimi interaktiv, të miturit u njohën me të drejtat që u garanton legjislacioni për mbrojtjen e të dhënave personale, mënyrat për të mbrojtur informacionin e tyre personal, për të identifikuar situatat që mund të cenojnë sigurinë e të dhënave dhe për të përdorur teknologjinë në mënyrë të sigurt dhe të përgjegjshme.
Në vijim të aktivitetit, të miturit patën mundësinë të diskutonin raste konkrete, të shtronin pyetje dhe të njiheshin me materialet informuese të përgatitura nga Zyra e Komisionerit.
Gjatë aktivitetit u prezantua mekanizmi i kutisë anonime, si një mjet konfidencial i krijuar për t’u mundësuar të miturve të paraqesin në mënyrë të sigurt dhe konfidenciale pyetje, shqetësime apo kërkesa që lidhen me mbrojtjen e të dhënave personale.

Në këtë mënyrë, aktiviteti synoi të ofrojë informacion të dobishëm dhe praktik mbi të drejtat që gëzojnë të gjithë individët në lidhje me mbrojtjen e të dhënave të tyre personale.
Zyra e Komisionerit mbetet e angazhuar në zhvillimin e aktiviteteve ndërgjegjësuese dhe edukuese me institucione publike, arsimore dhe sociale, me synim rritjen e njohurive mbi të drejtën për mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe promovimin e praktikave të përgjegjshme në përpunimin e të dhënave personale.