3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Takime ndërgjegjësuese në gjimnazet e Lushnjës, Beratit dhe Fierit

Në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese “Privatësia dhe siguria e të dhënave gjatë përdorimit të rrjeteve sociale nga të rinjtë”, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale zhvilloi takime me nxënës dhe mësues në shkollat e mesme të përgjithshme “18 tetori” në Lushnjë, “Babë Dudë Karbunara” në Berat, “Janaq Kilica” dhe “Perikli Ikonomi” në Fier. Më herët gjatë vitit, të tilla takime janë organizuar edhe në gjimnazet e Tiranës, Vlorës, Elbasanit dhe Gjirokastrës.

Të rinjtë u informuan me aspekte të ndryshme të përdorimit të sigurt të internetit dhe rrjeteve sociale. Gjatë bashkëbisedimit me ta u trajtuan raste konkrete të keqpërdorimit të të dhënave personale. Nxënësit u njohën, gjithashtu, edhe me mjete e mënyra për të shmangur shkeljen e privatësisë. Ata u treguan aktivë në plotësimin edhe të një pyetësori të përgatitur për të identifikuar shkallën dhe problematikat e përdorimit të rrjeteve të sociale nga kjo grup-moshë. Rezultatet e tij janë me rëndësi për stafin e Zyrës së Komisionerit, për të kuptuar prirjet e të rinjve në këtë fushë, si dhe nevojën e edukimit dhe ndërgjegjësimit të tyre akoma edhe më të madh për ruajtjen e privatësisë dhe të dhënave personale.