Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale zhvilloi një takim informues me studentë dhe stafin akademik të Univeristetit “Ismail Qemali” të Vlorës.
Stafi i Zyrës së Komisionerit i informoi të pranishmit me aspektet ligjore të fushës së mbrojtjes së të dhënave personale dhe privatësisë, me raste praktike në vendin tonë, me rolin e Autoritetetit në procesin e trajtimit të ankesave të qytetarëve dhe me zhvillimet më të fundit në këtë drejtim në Bashkimin Evropian dhe më gjerë. Në takim u prezantuan edhe risitë e ligjit “Për të drejtën e informimit”, hartimin dhe publikimin e programeve të transparencës së autoriteteve publike, rolin e koordinatorit gjatë trajtimit të kërkesave të qytetarëve, kompetencën e Zyrës së Komisionerit në rastet e ankesave, si dhe me portalin pyetshtetin.al.
Po ashtu, Zyra e Komisionerit zhvilloi disa takime edhe me nxënësit dhe mësuesit e shkollave të mesme të përgjithshme të qytetit të Vlorës, në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese “Privatësia dhe siguria e të dhënave gjatë përdorimit të rrjeteve sociale nga të rinjtë”. Gjimnazistët u informuan me aspekte të ndryshme të përdorimit të sigurt të internetit dhe rrjeteve sociale, u trajtuan raste konkrete të keqpërdorimit të të dhënave personale nga vetë të rinjtë, ndërsa u njohën edhe me mjete e mënyra për të shmangur shkeljen e privatësisë.