Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në kuadër të iniciativës ndërgjegjësuese “Java e mbrojtjes së të dhënave personale”, ka organizuar në bashkëpunim me drejtorinë e gjimnazit “Ismail Qemali” të Tiranës një seri takimesh dhe trajnimesh me nxënësit dhe prindërit e tyre dhe me trupën pedagogjike të kësaj shkolle.
Stafi i Zyrës së Komisionerit ka shpjeguar në këto takime mënyrën e funksionimit të autoritetetit në aspektin ligjor; procesin e trajtimit të ankesave në rastin e shkeljes së privatësisë dhe keqpërdorimit të të dhënave personale, duke u fokusuar veçanërisht në përdorimin e sigurtë të internetit dhe rrjeteve sociale, sidomos, nga brezi i ri. Po ashtu, u trajtuan edhe tema, raste e problematika që kanë të bëjnë me shtyllën tjetër mbi të cilën funksionon Zyra e Komisionerit, atë të të drejtës për informim, si një e drejtë kushtetuese e qytetarit për të rritur transparencën e Autoriteteve Publike.
Kjo iniciativë e Zyrës së Komisionerit, si detyrë funksionale e tij në procesin e ndërgjegjësimit, nuk do të mbetet e izoluar. Në bazë të një kalendari të përcaktuar përgjatë gjithë vitit 2016, ky aktivitete do të shtrihet edhe në gjimnazet e tjera të kryeqytetit, si edhe në shkollat e mesme të disa qyteteve të ndryshme të vendit.