Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale organizoi në datat 25-26 maj në mjediset e Akademisë së Sigurisë të Policisë së Shtetit një seminar trajnues 2-ditor. Në të morën pjesë 20 efektivë të Policisë së Shtetit nga nivele të ndryshme drejtimi.
Përfaqësuesit e Zyrës së Komisionerit trajtuan në këtë workshop çështje konkrete që kanë të bëjnë me grumbullimin, përpunimin, arkivimit dhe standartet e sigurisë të të dhënave personale të shtetasve, përgjatë punës së përditshme dhe ushtrimit të funksioneve ligjore të punonjësve të Policisë së Shtetit. Këto problematika u trajtuan sipas Ligjit Nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar dhe udhëzimeve në zbatim të tij Nr.3, Nr.17, Nr.21, Nr.40 dhe Nr.41 të Zyrës së Komisionerit. Po ashtu, përfaqësuesit e Zyrës së Komisionerit trajnuan të pranishmit edhe për dispozitat e Ligjit Nr. 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”, si një nga instrumentat kryesorë të rritjes së transparencës nga Autoritetet Publike dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për zbatimin e kësaj të drejte kushtetuese.