Në kuadër të projektit të përbashkët me SIGMA – organizëm i OECD, u zhvillua në mjediset e Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale trajnimi i dytë me znj. Anamarija Musa, Komisioner për të Drejtën e Informimit të Kroacisë dhe me ekspertin e SIGMA, Juhani Lemmik. Shkëmbimi i eksperiencës për konsolidimin e kapaciteteve administrative dhe aplikimin e praktikave më të mira në këtë fushë ishin në fokus të këtij aktiviteti.
Zyra e Komisionerit, në kuadër të zbatimit të ligjit Nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, kërkoi nga homologët kroatë asistencë për hartimin e një udhëzuesi për rolin dhe funksionet e koordinatorit për të drejtën e informimit. Gjithashtu, pala kroate është e gatshme të ofrojë eksperiencën e saj në konsolidimin e procedurave të inspektimit, si dhe në përcaktimin e indikatorëve të vetëvlerësimit të performancës nga Autoritetet Publike.
Në këtë aktivitet u diskutua për rritjen e transparencës së Autoriteteve Publike dhe për mënyrat në qasjen në informacionin publik, u shkëmbye eksperiencë në trajtimin e rasteve konkrete gjatë zbatimit të ligjit “Për të drejtën e informimit”, si edhe për të nxitur gjithnjë e më shumë ndërgjegjësimin e qytetarëve për ushtrimin e kësaj të drejte kushtetuese në praktikë.