Sot më 28 Janar – Ditën Evropiane të Mbrojtjes së të Dhënave Personale, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale së bashku me Sektorin Politik, Ekonomik dhe Informacionit të Delegacionit të BE në Shqipëri mirëpritën në Qendrën e Informimit të Bashkimit Evropian një grup studentësh, me të cilët zhvilluan një bisedë rreth të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësisë.
Përfaqësuesi i Delegacionit të BE në Shqipëri, z. Clive Rumbold, theksoi rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave personale në Evropë, si dhe kontributin konkret që Bashkimi Evropian ka dhëne në mbështetje të Zyrës së Komisionerit nëpërmjet asistencën me Projektet IPA. “Mbrojtja e jetës private është një e drejtë shumë e rëndësishme për BE dhe Zyra e Komisionerit ka nevojë për mbështetje të vazhdueshme në garantimin e kësaj të drejtë në Shqipëri” – vlerëësoi ai.
Z. Besnik Dervishi në fjalën e tij falënderoi Delegacionin e Bashkimit Evropian për përkrahjen e vazhdueshme për Zyrën e Komisionerit, si dhe nxiti të gjithë studentët për rëndësinë që ka ndërgjegjësimi për ruajtjen e të dhënave personale dhe se mbrojtja e privatësisë fillon pikërisht nga secili prej nesh.
Për përfaqësuesin e Delegacionit të BE, z. Rumbold dhe z. Dervishi u drejtuan pyetje të shumta, sidomos për privatësinë në komunikimet elektronike, respektimin e privatësisë nga media dhe gjykata, veprimtarinë inspektuese të Zyrës së Komisionerit, etj. Gjatë takimit u prezantua dhe spoti televiziv “Për të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale”, i cili nëpërmjet grafikës interaktive shpjegon në pak sekonda të drejtat e qytetarëve në këto fusha.
Adresa e spotit në Youtube