Zyra e Komisionerit dhe AFAPDP paraqesin Rregullat e Detyrueshme të Korporatave të hapësirës frankofone RCEF tek ndërmarrjet shqiptare

Ky është titulli i njoftimit për shtyp, që ka publikuar në faqen e saj zyrtare të internetit Shoqata Frankofone e Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave (AFAPDP), organizëm në të cilin Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale është anëtar me të drejta të plota.

Ky njoftim i bën jehonë aktivitetit që Autoriteti organizoi më 15 dhjetor 2014, në lidhje me mjetet e inkuadrimit të transferimit ndërkombëtar të të dhënave personale dhe posaçërisht, mbi Rregullat e Detyrueshme të Korporatave të hapësirës frankofone (RCEF). Ndër të tjera, në këtë njoftim bëhet me dije se RCEF janë një mjet për inkuadrimin e transferimit të të dhënave, i cili u dizenjua për kompanitë shumëkombëshe, prezente në shumë vende frankofone. Ato u përgatitën dhe u miratuan nga Autoritetet e Mbrojtjes së të Dhënave anëtare të organizatës AFAPDP në nëntor të vitit 2013.

Seminari u mbajt nga përfaqësues të Zyrës së Komisionerit dhe znj. Myriam Gufflet, nga Komisioni Kombëtar i Informatikës dhe Lirive të Francës (CNIL), në të cilin morën pjesë më shumë se tridhjetë përfaqësues të kompanive të ndryshme. Programi përfshiu një pjesë të parë, ku u prezantua kuadri ligjor shqiptar i mbrojtjes dhe transferimit të të dhënave personale, misioni dhe kompetencat e Zyrës së Komisionerit. Në pjesën e tij të dytë u prezantuan konteksti i miratimit të RCEF nga ana e anëtarëve të AFAPDP, shpjegime konkrete mbi përmbajtjen dhe elementet kyçe të RCEF si edhe pyetje/përgjigje në lidhje me RCEF. Në këtë njoftim pasqyrohet edhe jehona që ka pasur në median shqiptare ky aktivitet.