Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale mori pjesë në takimin e 104-t të Grupit të Punës së Nenit 29, që u mbajt në datat 2 dhe 3 shkurt në Bruksel.
Gjatë takimit 2-ditor të pranishmit diskutuan rreth disa çështjeve me rëndësi për fushën e mbrojtes së të dhënave personale në vendet anëtare të BE dhe më gjerë. Tema qendrore e këtij takimi ishte diskutimi për arritjen e marrëveshjes paraprake BE-SHBA për “Privacy Shield – Mburoja e Privatësisë”, dokumenti që do të zëvendësojë marrëveshjen e përfunduar “Safe Harbour – Porti i Sigurt”, për transferimin e të dhënave personale mes të dy kontinenteve. Për këtë çështje, në takim informoi të pranishmit znj. Vĕra Jourová, Komisioner i Bashkimit Evropian për Drejtësinë, Konsumatorët dhe Barazinë Gjinore. Grupi i Punës së Nenit 29 do të shqyrtojë në mbledhjet e tij të ardhshme përmbajtjen dhe detyrimet ligjore të kësaj marrëveshje.
Gjithashtu, në këtë takim u prekën edhe disa tema të tjera, mes të cilave ishin: diskutimi për “Të ardhmen e Privatësisë” – plani i punës për reformën legjislative në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale, ku një vëmendje iu kushtua miratimit përfundimtar të Rregullores së re për mbrotjejn e të dhënave personale nga institucionet dhe vendet anëtare të BE; diskutimi i Programit të Punës për periudhën 2016-2018; si dhe diskutimi për përmirësimin e bashkëpunimit ndërkombëtar mes Autoriteteve kombëtare të Mbrojtjes së të Dhënave Personale.
Në këtë takim, u përshëndet pjesëmarrja për herë të parë e përfaqësuesve të Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në këtë forum evropian.
Grupi i Punës së Nenit 29 është një organizëm i posaçëm evropian, i ngritur në përputhje me nenin 29 të Direktivës 95/46/EC, për të mbikqyrur zbatimin e saj në vendet anëtare të BE. Ai është organizmi i Autoriteteve për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të vendeve anëtare të BE, si dhe në të ka përfaqësues nga Komisionit Evropian dhe nga Mbikëqyrësi Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave – EDPS. Grupi është një organ këshillimor dhe i pavarur. Po ashtu, GP29 i është dhënë e drejta për të propozuar çdo amendim legjislativ dhe hartimin e reformës në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale në vendet anëtare të BE.