3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Liria e shprehjes – ende një parakusht për demokracinë?

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale mori pjesë në konferencën me temë “Liria e shprehjes – ende një parakusht për demokracinë?”, organizuar nga Këshilli i Evropës dhe zhvilluar në selinë e tij në Strazburg të Francës, në datat 13-14 tetor 2015.

Në këtë aktivitet morën pjesë mbi 300 përfaqësues të institucioneve të ndryshme nga shtetet anëtare të KiE dhe jo vetëm; të organizmave evropiane e botërore – ndër më të rëndësishmet, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut; përfaqësues të biznesit; të shoqatave të gazetarëve; nga shoqëria civile, etj. Në këtë konferencë u trajtuan një sërë temash që kanë të bëjnë me respektimin e të drejtës së lirisë së shprehjes, sidomos në raport me teknologjinë – internetin dhe rrjetet e ndryshme sociale, si dhe balancimin e saj me të drejtën për privatëcinë dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

Në fjalën e tij përshëndetëse, z. Thorbjørn Jagland, Sekretari i Përgjithshëm i KiE, teksa theksoi se jetojmë në kohë të vështira për lirinë e fjalës, prezantoi një nismë të institucionit që drejton e mbështetur në 4 shtylla kryesore, për të cilën do të punojë një institucion i specializuar ligjor në Zvicër – Instituti i Drejtësisë Krahasuese (Institute of Comparative Law). Vitin e ardhshëm do të prezantohet raporti përfundimtar, i cili do t’i shërbejë si Këshillit të Evropës, ashtu dhe Asamblesë Parlamentare për amendime të mundshme legjislative, në përmirësimin e kuadrit për zbatimin unifikues të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Z. Jagland, vlerësoi si të rëndësishëm edhe ngritjen dhe funksionimin e një portali të specializuar – Platforma për të promovuar mbrojtjen e gazetarisë dhe sigurinë e gazetarëve (Platform to promote the protection of journalism and safety of journalists), instrument mjaft sinjikativ në nxitjen e lirisë së shprehjes.