3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Kuvendi miraton ndryshimet në ligjin nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, i mbledhur në seancë plenare ditën e enjte, datë 21.09.2023, miratoi ligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”.

Këto përmirësime dhe ndryshime kanë për qëllim forcimin akoma edhe më shumë të rregullave, mekanizmave dhe procedurave për njohjen me informacionin/dokumentacionin me karakter publik nga qytetarët. Ndër ndryshimet kryesore në këtë projektligj është përfshirja dhe zgjerimi i kompetencave të Komisionerit në fushën e të drejtës për informim, të cilat ishin të listuara në ligjin aktual për mbrojtjen e të dhënave personale. Roli i Zyrës së Komisionerit konsolidohet akoma edhe më shumë, duke forcuar mekanizmat mbikëqyrëse për ushtrimin në praktikë të kësaj të drejte individuale. Risi të tjera përfshijnë, forcimin e pozicionit të koordinatorit për të drejtën e informimit, duke përfshirë edhe një shpërblim të posaçëm mbi pagë apo përcaktimi i saktë dhe konkret i përgjegjësisë për mospërmbushjen e dispozitave të legjislacionit për të drejtën e informimit. Po ashtu, janë rishikuar me ulje kufijtë e poshtëm të sanksioneve për dënimin e shkeljeve për mospërmbushje të detyrimeve ligjore, duke synuar vendosjen e një raporti më të drejtë dhe proporcional me të ardhurat në administratën publike.