Në 28 Janar – Ditën Ndërkombëtare të Mbrojtjes së të Dhënave Personale, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale lançon iniciativën e një pyetësori për kontrolluesit publik (autoritete publike) që përpunojnë të dhëna personale të qytetarëve.
Ky pyetësor synon vlerësimin e njohurive të administratës publike në lidhje me të drejtën për mbrojtjen e të dhënave personale, kritereve dhe normave për përpunim e ligjshëm të tyre. Informacioni i përftuar nga përgjigjet do t’i mundësojë Zyrës së Komisionerit të krijojë një panoramë për nivelin e njohjes nga sektori publik të detyrimeve në këtë fushë, si dhe të evidentojë problematikat më të rëndësishme dhe nevojat për zhvillim profesional dhe për trajnime të mëtejshëm të nëpunësve të këtyre institucioneve. Së shpejti, Shqipëria do të ketë një kuadër të ri rregullator në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale sipas acquis të Bashkimit Evropian, të përafruar tërësisht me Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (GDPR), duke parashikuar standarde më të larta në garantimin e të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale.
Data 28 janar përkon me miratimin në vitin 1981 nga Këshilli i Evropës të Konventës 108 “Për mbrojtjen e individëve në lidhje me përpunimin automatik të të dhënave personale”. Vendi ynë e ka përfshirë në legjislacionin kombëtar këtë dokument me miratimin e ligjit nr. 9288/2004. Konventa është modernizuar në maj të vitit 2018 (Konventa 108+) me aprovimin e Protokollit CETS No. 223, i cili u nënshkrua në 28 janar 2022 edhe nga Shqipëria. Megjithëse parimet themelore të Konventës 108 të vitit 1981 i kanë rezistuar kohës dhe qasja e saj përgjithsuese dhe neutrale karshi teknologjisë përbëjnë forcën e saj të pamohueshme, Këshilli i Evropës e gjykoi si tepër të rëndësishme ta përmirësonte këtë instrument historik. Qëllimi i Protokollit ndryshues (ETS nr. 223) është përforcimi i parimeve themelore dhe më tej modernizimi i Konventës 108 dhe Protokollit shtesë të saj (ETS nr. 181), me qëllim gjetjen e zgjidhjeve përballë sfidave që burojnë nga zhvillimi i teknologjisë, globalizimit të informacionit dhe qarkullimit gjithnjë e në rritje të dhënave personale në ambientin digjital, ashtu si dhe forcimi i mekanizmit të vlerësimit dhe mbikëqyrjes së zbatimit të Konventës. Prej vitit 2006, 28 janari celebrohet në shkallë botërore dhe njihet edhe si Dita e Privatësisë, jashtë Evropës.