Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale publikon për vitin e dytë radhazi Raportet mbi “Indeksin e transparencës së autoriteteve qendrore dhe të varësisë 2021” dhe “Indeksin e transparencës së njësive të vetëqeverisjes vendore 2021”. Këto indekse ndjekin një metodologji të caktuar, e cila shërben kryesisht për të sjellë një analizë krahasuese të nivelit të transparencës proaktive të autoriteteve publike duke krahasuar trendin e transparencës së tyre ndër vite.
Gjetjet e këtyre raporteve synojnë jo vetëm të nxisin ndërgjegjësimin për zbatimin e ligjit për të drejtën e informimit, si dhe rritjen e nivelit të transparencës përmes publikimit proaktiv të informacionit, por shërbejnë dhe si një referencë përpara vendimmarrjes së Zyrës së Komisionerit në respektim të dispozitave ligjore.
Nga monitorimi i realizuar, konstatohet një rritje e transparencës proaktive në Autoritetet Publike qendrore dhe të varësisë, si dhe në Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore, përsa i përket plotësimit të Programit të Transparencës, përmbajtjes së informacionit të tij, regjistrit të kërkesave dhe përgjigjeve, në raport me vitin e kaluar.