Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka bashkëpunuar me Institucione publike të Arsimit të Lartë (IAL) apo organizata studentore për rritjen e ndërgjegjësimit për ushtrimin në praktikë të të drejtave të qytetarëve.
Gjatë muajit dhjetor 2021 u zhvilluan trajnime/takime në fokus të të cilave ishte njohja me legjislacionin e zbatueshëm në të dy fushat e kompetencës së institucionit. Në to morën pjesë kryesisht studentë, por edhe staf akademik e administrativ nga Universitetet “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, “Fan Noli” të Korçës dhe anëtarë të Klubit Studentor nga Fakulteti i Drejtësisë së Universitetit të Tiranës. Të pranishmit në këto aktivitete u njohën me rolin, funksionet dhe veprimtarinë e Zyrës së Komisionerit për mbikëqyrjen e zbatimit të kuadrit rregullator, si dhe u trajtuan një sërë rastesh nga praktika. Gjithashtu, në këto takime vëmendje iu kushtua aspekteve të ndryshme për forcimin e transparencës proaktive të Autoriteteve Publike dhe rritjes së përgjegjshmërisë në përpunimin e të dhënave personale nga kontrollues publik e privat.