3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Fushata Kombëtare “Edukimi digjital, luaj dhe mëso – Happy onlife”

Fushata Kombëtare “Edukimi digjital, luaj dhe mëso – Happy onlife” është iniciativa ndërgjegjësuese e Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale për përdorimin e sigurt të mjedisit digjital nga fëmijët dhe të rinjtë.

Përgjatë periudhës tetor-dhjetor 2020 u zhvilluan 22 takime në shkolla 9-vjeçare në qytetet e Kavajës, Rrogozhinës, Cërrikut, Gramshit, Belshit, Peqinit, Elbasanit, Librazhdit, Laçit, Krujës, Rrëshenit, Lezhës, Shkodrës, Koplikut, Kukësit, Krumës, Burrelit, Klosit, Vorës, Kamzës dhe Durrësit. Në zbatim të masave/protokolleve shëndetësore për parandalimin e përhapjes së pandemisë globale COVID-19, në këto aktivitete morën pjesë nxënës të klasave të 6-ta, 7-ta dhe të 8-ta dhe mësues të lëndëve të gjuhës angleze, informatikës apo qytetarisë. Projekti për realizimin e kësaj Fushate Kombëtare u bë i mundur pas pilotimit të lojës “Happy onlife” në 6 shkolla 9-vjeçare të Tiranës në janarin e 2019.

Përfaqësuesit e Zyrës e Komisionerit në bashkëbisedim me pjesëmarrësit ndanë informacione dhe këshilla praktike për mbrojtjen e privatësisë, sidomos në përdorimin e rrjeteve sociale. Loja “Happy Onlife” ka si qëllim që të nxisë të rinjtë që nga i menduari kritik të mësojnë për përdorimin e sigurt të të dhënave personale në mjedisin digjital. Njëkohësisht, synohet të rritet dhe ndërgjegjësimi i mësuesve e prindërve për të ndihmuar adoleshentët në parandalimin apo minimizimin e fenomeneve negative si bullizmi, përdorimi i identitetit të të tjerëve, si dhe kontaktet e padëshiruara. Në këto takime u shpërndanë botime të Zyrës së Komisionerit, si “Kuadri i aftësimit të mësuesve të shkollave 9-vjeçare mbi mbrojtjen e të dhënave personale të nxënësve” dhe fletëpalosje të ndryshme.

Sot në botë, ashtu si edhe në Shqipëri, rezulton se të rinjtë janë më shumë përdorues të teknologjive digjitale në krahasim me grup-moshat e tjera, rrjedhimisht dhe më të ekspozuar ndaj rreziqeve në internet. Loja “Happy Onlife” është përgatitur nga Qendra e Bashkuar Kërkimore e Bashkimit Evropian (Joint Research Centre), në vitin 2015. Zyra e Komisionerit vlerëson dhe falënderon për bashkëpunimin e koordinim në realizimin e kësaj Fushate Kombëtare Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar dhe strukturat e saj të varësisë, si dhe partnerët e tjerë. Iniciativa do të vijojë në fazën e dytë edhe në qytete të tjera të vendit.