“E drejta e informimit dhe mbrojtja e të dhënave personale” ishte tematika e trajnimit të zhvilluar nga Zyra e Komisionerit në bashkëpunim me Universitetin e Vlorës “Ismail Qemali”.
Trajnimi kishte për qëllim njohjen me kuadrin ligjor në të dy fushat e veprimtarisë së Zyrës së Komisionerit, rolin dhe funksionet e institucionit, si dhe u trajtuan raste praktike. Lektore në këtë trajnim ishin znj. Elona Hoxhaj drejtuese e Drejtorisë për të Drejtën e Informimit dhe znj. Pjerina Gaxha drejtuese e Drejtorisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Ky trajnim u mbajt nëpërmjet platformave të komunikimit virtual, duke marrë në konsideratë situatën me pandeminë Covid-19. Në të morën pjesë mbi 50 studentë nga profile/programe të ndryshme mësimore të universitetit dhe pjesëtarë të stafit akademik e atij administrativ. Zyra e Komisionerit do të zhvillojë aktivitete të ngjashme me karakter trajnues e ndërgjegjësues dhe me Institucione të tjera të Arsimit të Lartë në vend.