3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Zyra e Komisionerit, anëtare e Komitetit Ekzekutiv të Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale zgjidhet anëtare e Komitetit Ekzekutiv të Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit (International Conference of Information Commissioners – ICIC).

Organi më i lartë drejtues i Organizatës u zgjodh për herë të parë me votimin e të gjithë anëtarësisë në kuadër të procesit të ristrukturimit dhe riformatimit të saj, proces i sanksionuar në Kartën e Johanesburg në përfundim të zhvillimit të Konferencës së vitit 2019. Zgjedhja në Komitetin Ekzekutiv të ICIC të Zyrës së Komisionerit është vlerësim për përpjekjet e Shqipërisë në procesin e transparencës dhe llogaridhënies dhe për përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga legjislacioni për të drejtën e informimit nga Autoritetet Publike. Anëtarësimi në këtë forum ishte objektivi kryesor në marrëdhëniet ndërkombëtare të institucionit në periudhën afat-mesme. Zyra e Komisionerit është, gjithashtu, anëtare e Komitetit Ekzekutiv të Asamblesë Globale të Privatësisë (GPA).

Njëkohësisht me Komitetin Ekzekutiv, u votua edhe për zgjedhjen e Kryetarit të këtij forumi, znj. Blanca Lilia Ibarra Cadena, Komisionere e Institutit Kombëtar për Transparencën, Informacionin dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Meksikës (National Institute for Transparency, Access to Information and Personal Data Protection – INAI). Anëtarët e tjerë të Komitetit Ekzekutiv janë zgjedhur edhe Zyra e Shërbimeve të Informimit të Qeverisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës; Zyra e Kontrollorit të Përgjithshëm të Brazilit; Këshilli i Transparencës së Kilit; Rregullatori i Informimit të Afrikës së Jugut; Komisioni për Drejtësi Administrative, Avokati i Popullit të Kenias dhe Komisioneri i Informimit të Bermudës.

Funksionet e të zgjedhurve nisin në përfundim të zhvillimit të Konferencës së ICIC (virtuale), me organizator Autoritetin Brazilian, që mbahet në 23-24 qershor 2021. Konferenca Ndërkombëtare e Komisionerëve të Informimit është themeluar në vitin 2003, si një platformë globale për të nxitur dhe promovuar të drejtën e informimit dhe transparencën, një nga shtyllat e funksionimit të shtetit ligjor dhe demokracisë.

Konferenca Ndërkombëtare e Komisionerëve të Informimit

Njoftimi për rezultatet e zgjedhjeve të Komitetit Ekzekutiv të ICIC 2021 (anglisht)

ICIC Newsletter (anglisht)