Trajtimi në balancë i të drejtës për informim me atë për mbrojtjen e të dhënave personale është faktor i rëndësishëm për efektivitetin e veprimtarisë së institucioneve shtetërore. Në kuadër të projektit të përbashkët “E drejta për informim dhe mbrojtja e të dhënave personale, njohja me detyrimet e ligjeve respektive” të Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Prezencës së OSBE në Shqipëri, u zhvillua takimi i dytë rajonal në Shkodër.
Në aktivitet merrnin pjesë përfaqësues të institucioneve qendrore në nivel vendor, të organeve të vetëqeverisjes vendore, të sistemit të drejtësisë, nga shoqatat e biznesit, medias, etj. Trajnimi kishte në fokus njohjen me ligjin 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” dhe Rekomandimin 11/2016 të Komisionerit për njësitë e vetëqeverisjes vendore. Pjesëmarrësit u njohën me procesin e trajtimit të ankesave nga Autoritetet Publike, dallimin mes të drejtës për akses në të dhënat personale dhe kërkesës për t’u njohur me dokumenta zyrtare sipas legjislacionit për të drejtën e informimit. Trajtimi i rasteve konkrete nga veprimtaria e Zyrës së Komisionerit kishte për qëllim orientimin e duhur në terma praktike, duke theksuar se vendimmarrja e Autoritetit i përmbahet parimit të proporcionalitetit kur ndërthuren këto dy të drejta.