3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Samiti Global i Privatësisë 2024

Samiti Vjetor i Privatësisë 2024 (GPS), organizuar nga Shoqata Ndërkombëtare e Profesionistëve të Privatësisë (International Association of Privacy Professionals – IAPP), mblodhi së bashku, në një prej aktiviteteve më të rëndësishme globale në këtë fushë, përfaqësues nga bota akademike, shoqëria civile, të grupeve të interesit e biznesit, si dhe zyrtarë të autoriteteve të mbrojtjes së të dhënave personale.

Ky takim përbën një platformë në funksion të diskutimeve për standardet ligjore, politikave, menaxhimin dhe administrimin e operacioneve për mbrojtjen e të dhënave personale. GPS është një aktivitet që ofron qasje dhe zgjidhje inovative ndaj sfidave me të cilat përballen profesionistët e kësaj fushe. Me një program të gjerë temash, samiti ofroi takime të formateve të ndryshme për trajtimin e çështjeve që kanë lidhje me garantimin e një mjedisi të përshtatshëm për mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave personale, si dhe mundësinë për të forcuar bashkëpunimin nëpërmjet komunikimit të drejtpërdrejtë mes aktorëve dhe faktorëve, si të sferës publike ashtu edhe private.

Ndër tematikat më të diskutuara në samit ishin ato mbi përdorimin e inteligjencës artificiale (Artificial Intelligence-AI) në ofrimin e shërbimeve të ndryshme digjitale, si dhe baza ligjore në Bashkimin Evropian për këtë qëllim; vlerësimi i ndikimit në privatësi për arritjen e standardeve të përputhshmërisë apo çështje që kanë të bëjnë me transferimin ndërkombëtar të të dhënave personale. Me interes për të pranishmit ishte edhe diskutimi mbi kornizën e re rregullatore BE-SHBA për shkëmbimin e të dhënave personale, zhvillimet dhe perspektivat e reja në këtë drejtim; ashtu si edhe harmonizimi ligjor për garantimin e sigurisë në mjedisin kibernetik/digjital. Nga ana tjetër, u trajtuan edhe tema mbi pajtueshmërinë me ligjislacionin në lidhje me privatësinë e fëmijëve dhe adoleshentëve; standardet e reja për marrjen e pëlqimit në rregulloret globale të privatësisë apo reagimi ndaj incidenteve me të dhënat personale që prekin sigurinë e tyre.