3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Shkolla Dimërore “Informim dhe Privatësi”, përfundon edicioni i parë

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në bashkëpunim me Rektoratin e Universitetit të Tiranës zhvilluan në datat 23-27 janar 2017 Shkollën Dimërore “Informim dhe Privatësi”. Ky aktivitet u organizua në kuadër të Javës së Mbrojtjes së të Dhënave Personale, si dhe në zbatim të marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy institucioneve të nënshkruar më 14 dhjetor 2016. Në edicionin e parë të kësaj Shkolle Dimërore u përzgjodhën për të marrë pjesë 60 studentë, staf akademik dhe administrativ nga të gjithë fakultetet e Universitetit të Tiranës.

Në 5 ditët e zhvillimit të aktivitetit u trajtuan tema dhe raste konkrete nga praktika shqiptare dhe ajo evropiane, si në drejtim të mbrojtjes së privatësisë, ashtu edhe për të drejtën e informimit. Stafi i Zyrës së Komisionerit mbajti prezantime për kuadrin ligjor të funksionimit dhe kompetencave të Autoritetit në të dy këto fusha, si edhe me risitë e Rregullores së Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave të BE që hyn në fuqi në maj 2018.

Pjesëmarrësit e Shkollës Dimërore u njohën nga trajtimi i rasteve konkrete me procedurat e kërkesës për informim, shqyrtimin e ankesave, rolin e koordinatorit, programin e transparencës së Autoriteteve Publike dhe me portalin pyetshetin.al. Njëkohësisht, ata u trajnuan për të drejtat e individëve si subjekt të të dhënave personale (saktësia, grumbullimi, qëllimi, përpunimi, korrigjimi, fshirja, etj) dhe detyrimet e kontrolluesve për zbatimin integral të legjislacionit. Ndërsa, u prezantuan tema edhe për përdorimin e të dhënave personale në rrjetet sociale dhe në Internetin e Gjërave (IoT), Cloud Computing dhe Big Data, si dhe balanca mes mbrojtjes së privatësisë dhe interesit publik në legjislacionin evropian.

Në ditën e fundit u zhvillua dhe ceremonia e ndarjes së certifikatave, ku pjesëmarrësit në Shkollën Dimërore u vlerësuan me dy kredite. Z. Besnik Dervishi, theksoi se “ky aktivitet ka hedhur bazën e një bashkëpunimi afatgjatë me Universitetin e Tiranës për zgjerimin e njohurive të studentëve në këto dy fusha. Vetë pjesëmarrja në këtë Shkollë Dimërore është tregues i rëndësisë së zhvillimit periodik të të tilla iniciativave për qytetarë të informuar me të drejtat e tyre themelore”. Ndërsa, zv/rektori Shezai Rrokaj tha se “ndërgjegjësimi do të nxisë gjithnjë e më shumë kulturën e transparencës së institucioneve, duke respektuar privatësinë e individit”.