3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Përmbyllet fushata ndërgjegjësuese me gjimnazistët, takime informuese me studentët në Korçë dhe në Sarandë

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale përmbylli fushatën ndërgjegjësuese “Privatësia dhe siguria e të dhënave gjatë përdorimit të rrjeteve sociale nga të rinjtë”. Në muajt nëntor-dhjetor u zhvilluan takime në shkollat e mesme të përgjithshme “Gjergj Pekmezi” në Pogradec, “Raqi Qirinxi” dhe “Themistokli Gërmenji” në Korçë, “Abaz Shehu” në Tepelenë, “Sami Frashëri” në Përmet dhe “Hasan Tahsini” në Sarandë; si edhe takime me studentë dhe stafin akademik në Universitetin “Fan Noli” të Korçës dhe në Filialin e Sarandës të Universitetit të Tiranës.

Takimet në kuadër të fushatës u zhvilluan më herët gjatë vitit në të gjithë vendin, në gjimnazet e Tiranës, Vlorës, Elbasanit, Gjirokastrës, Lushnjës, Beratit, Fierit, Durrësit, Lezhës, Shkodrës dhe Kukësit. Përfaqësuesit e Autoritetit i njohën të rinjtë dhe bashkëbiseduan me ta për raste konkrete të keqpërdorimit të të dhënave personale. Ata u njohën me mjete e mënyra efikase për të shmangur shkeljet e privatësisë, që në këtë grupmoshë rezultojnë të jenë shumë të përhapura.

Të rinjtë u treguan aktiv në plotësimin e pyetësorëve të përgatitur për të identifikuar shkallën dhe problematikat e përdorimit të rrjeteve sociale. Zyra e Komisionerit ka përgatitur një studim me rezultatet e përftuara, i cili do të bëhet publik së shpejti. Megjithëse të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e mbrojtjes së të dhënave të tyre personale, gjimnazistët tregohen neglizhentë për masat e sigurisë gjatë përdorimit të rrjeteve sociale. Rezultatet janë të rëndësishme për Autoritetin për të kuptuar prirjet e të rinjve dhe për të nxitur akoma edhe më shumë procesin e ndërgjegjësimit të tyre për ruajtjen e privatësisë. Zyra e Komisionerit parashikon të zhvillojë vitin e ardhshëm një fushatë të ngjashme me nxënësit e shkollave 9-vjeçare, pasi ata janë edhe më të rrezikuar nga fenomenet negative gjatë përdorimit të internetit.

Ndërsa, aktivitetet informuese nëpër universitete kanë për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për respektimin e të drejtave të qytetarëve dhe në njohjen e legjislacionin që garanton zbatimin e tyre. Stafi i Zyrës së Komisionerit mbajti prezantime për përmbajtjen e ligjit “Për të drejtën e informimit” dhe atë “Për mbrojtjen e të dhënave personale”. Të pranishmit në takime u njohën me kompetencat e institucionit dhe veçanërisht, me procedurën e kërkesës dhe trajtimin e ankesave të qytetarëve. Njëkohësisht, u shpjeguan roli dhe funksioni i koordinatorit për të drejtën e informimit dhe përmbajtja e programit të transparencës së Autoriteteve Publike; u trajtuan raste praktike të shkeljes së privatësisë dhe keqpërdorimit të të dhënave personale, si dhe u diskutua për përdorimin e sigurt të internetit, rrjeteve sociale dhe aplikacioneve të ndryshme.