Fushata ndërgjegjësuese “Privatësia dhe siguria e të dhënave gjatë përdorimit të rrjeteve sociale nga të rinjtë” ka vijuar me takime në shkollat e mesme të përgjithshme në disa qytete të vendit.
Përfaqësuesit e Zyrës së Komisionerit bashkëbiseduan me nxënës e mësues në gjimnazet “Leonik Tomeo” e “Naim Frashëri” të Durrësit; “Hydajet Lezha” të Lezhës; “28 Nëntori” e “Oso Kuka” të Shkodrës dhe “Havzi Nela” në Kukës. Prej fillimit të vitit, të tilla aktivitete janë zhvilluar në shkollat e mesme të Tiranës, Vlorës, Elbasanit, Gjirokastrës, Lushnjës, Beratit dhe Fierit. Të rinjtë u informuan me aspekte të ndryshme të përdorimit të sigurt të internetit dhe rrjeteve sociale.
Gjatë këtyre takimeve u trajtuan raste konkrete të keqpërdorimit të të dhënave personale, ndërsa, nxënësit u njohën me mjete e mënyra për të shmangur shkeljet e privatësisë. Të rinjtë u treguan aktivë në plotësimin edhe të një pyetësori të përgatitur për të identifikuar shkallën dhe problematikat e përdorimit të rrjeteve sociale nga kjo grup-moshë. Rezultatet e tij janë me rëndësi për stafin e Zyrës së Komisionerit për të kuptuar prirjet e kësaj grup-moshe, si dhe për nxitjen e ndërgjegjësimit të tyre për ruajtjen e privatësisë.