3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Bashkëpunim me KiE për projektin “Mbrojtja e të drejtës së shprehjes dhe të medias”

Në Zyrën e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave u zhvillua një takim me përfaqësuesit e Këshillit të Evropës (KiE), znj. Alina Tatarenko, Shef i Divizionit për Bashkëpunim për Lirinë e Shprehjes, z. Paul Meyer, menaxher projekti dhe znj. Erkanda Bujari, nga Zyra e KiE në Shqipëri.

Palët diskutuan për bashkëpunimin në kuadër të zbatimit të projektit rajonal “Mbrojtja e të drejtës së shprehjes dhe të medias në Ballkanin Perëndimor”. Kjo iniciativë e KiE u prezantua gjatë këtij takimi dhe ka në fokus lirinë e shprehjes, aksesin në informacionin publik, mbrojtjen e të dhënave personale, mbrojtjen e gazetarëve, si dhe fuqizimin e kapaciteteve të institucioneve dhe ndërveprimin me organizata të shoqërisë civile. Përfaqësuesit e KiE vlerësuan përfshirjen e Zyrës së Komisionerit në këtë projekt për ndarjen e eksperiencës dhe praktikave të mira në lidhje me legjislacionin për të drejtën e informimit, si dhe për njohjen e Konventës së modernizuar të KiE “Për mbrojtjen e individëve në lidhje me përpunimin automatik të të dhënave personale” (Konventa 108+) dhe asaj “Për aksesin në dokumentet zyrtare” (Konventa e Tromsos). Zyra e Komisionerit theksoi si të rëndësishme për këtë projekt organizimin e aktiviteteve/fushatave ndërgjegjësuese, rritjen e kapaciteteve të stafit të saj, të institucioneve të administratës publike, por edhe të përfaqësuesve të shoqërisë civile, mbi promovimin e transparencën dhe për mbrojtjen e të dhënave personale.