Udhëzimi i Përbashkët nr. 463/2020 “Për përcaktimin e institucioneve dhe organeve që marrin të dhëna personale nga shërbimi i gjendjes civile, si dhe mënyrën, llojin dhe sasinë e informacionit që duhet të marrin”, i ndryshuar (Udhëzimi nr. 463/2020) përcakton kornizën rregulatore për trajtimin sa më adekuat të të dhënave personale të qytetarëve që përpunohen në përputhje me veprimtarinë specifike të autoriteteve të ndryshme publike apo subjekteve private. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi dhe Ministri i Brendshëm, z. Taulant Balla nënshkruan përmirësimin e këtij akti nënligjor, i cili përfshin një listë më të zgjeruar të institucioneve/organeve të cilat kanë akses në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile (RKGJC).
Komisioneri Dervishi, duke vlerësuar bashkëpunimin me Ministrinë e Brendshme në përditësimin e këtij Udhëzimi, në fjalën e tij ndër të tjera theksoi se: “ky proces korrekt dhe i kujdesshëm duhet të shërbejë si model për të gjithë institucionet e tjera. Zyra e Komisionerit kryen funksione të ngarkuara nga disa ligje specifike, marrëveshje ndërkombëtare apo akte nënligjore dhe që ndërlidhen ngushtë me veprimtarinë e Ministrisë së Brendshme. Në funksion të plotësimit të këtyre detyrave edhe Zyra e Komisionerit merr nuanca dhe renditet në institucionet që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare. Veprimtaria e organeve ligjzbatuese është shumë e ndjeshme edhe në këndvështrimin e mbrojtjes së të dhënave personale, në administrimin dhe përpunimin e të dhënave në sistemet dhe databazat e tyre apo pa harruar edhe transparencën që duhet të reflektojnë këto institucione në raport me publikun. Gjatë punës tonë, e mbështetur edhe në standardet e Rregullores së Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR) të Bashkimit Evropian, ne kemi konstatuar që duhet forcuar niveli i marrjes së masave të sigurisë, ruajtja e konfidencialitetit të të dhënave, identifikimi dhe gjurmimi i nivelit të aksesit, si dhe kategoria e të dhënave që përpunohen nuk duhet të jetë në tejkalim të parashikimeve specifike apo parimit të mjaftueshmërisë. Ne përmbyllim një proces të kujdesshëm në lidhje me aksesin në të dhënat e Rregjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, duke parë të nevojshme rishikimin e këtij akti në mënyrë që të adresohen problematikat dhe në të njëjtën kohë, të shtohet numri i institucioneve/organeve të reja apo të ristrukturuara, të cilat e kanë të domosdoshme aksesin në RKGJC për përmbushjen e detyrave funksionale dhe në zbatim të parashikimeve të legjislacionit specifik”.
Ministri Balla duke theksuar kontributin e Zyrës së Komisionerit në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, tha ndër të tjera se: “në këtë akt janë përfshirë disa institucione të reja, të cilat kanë një rol kyç në zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e të dhënave personale, të tilla si KLGJ, SPAK, BKH, AMP, etj. Këto institucione do të kenë qasje të saktësuar dhe të përshtatur në bazë të legjislacionit përkatës për mbrojtjen e të dhënave personale. Me anë të këtij Udhëzimi synohet që të ketë përmirësime në procedurat e Shërbimit të Gjendjes Civile, duke siguruar që të jetë më transparent dhe të ofroj informacionin e nevojshëm për këto institucione në mënyrë të sigurt dhe të kontrolluar. Ky Udhëzim përmban, gjithashtu, përmirësime në procesin e verifikimit të të dhënave për të garantuar integritetin dhe sigurinë e informacionit të ndarë. Në kuadër të kësaj nisme janë përfshirë dispozita të reja që lidhen me përdorimin e teknologjisë në proceset zgjedhore, të cilat janë të rëndësishme për rritjen e besueshmërisë dhe efikasitetit të proceseve demokratike në vendin tonë. Në përgatitjen e këtij Udhëzimi janë marrë parasysh dhe integruar komentet e institucioneve të ndryshme në mënyrë që dokumenti të përmbushë të gjitha kërkesat ligjore dhe të mbrojë të drejtat e qytetarëve”.
Ky akt nënligjor i rishikuar siguron standarde të unifikuara dhe më të larta në përdorimin/shkëmbimin e të dhënave personale të qytetarëve dhe njëkohësisht, u garanton atyre respektimin e kësaj të drejte dhe lirie themelore, edhe në optikën e zhvillimeve teknologjike dhe shtimit të shërbimeve shtetërore online. Nga ana tjetër, Udhëzimi nr. 463/2020 i përmirësuar adreson edhe çështjen të masave tekniko-organizative që këto institucione duhet të marrin përsa i përket forcimit të aspekteve të tilla të rëndësishme të këtij procesi si siguria, integriteti, përgjegjshmëria, mjaftueshmëria apo gjurmueshmëria.