Forcimi i transparencës proaktive, rritje e kapaciteteve profesionale dhe përditësim i instrumenteve

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale është gjithnjë e angazhuar në rritjen e kapaciteteve profesionale në funksion të forcimit të transparencës proaktive të institucioneve shqiptare.

Me këtë synim, gjatë ditëve të fundit të vitit 2024, u zhvilluan një seri trajnimesh online me koordinatorët për të drejtën e informimit dhe personat e kontaktit për të dhënat e hapura nga të gjitha autoritetet publike qëndrore dhe të strukturave të varësisë, të organeve të vetëqeverisjes vendore, institucioneve të pavarura, atyre të sistemit të drejtësisë (gjykata dhe prokurori), të shoqërive/kompanive me kapital publik, etj. Trajnimet u fokusuan në tre elemente kryesore: përmbushjen e detyrimeve të legjislacionit lidhur me aksesin në informacionin publik dhe publikimin/përditësimin e Regjistrit të Kërkesave dhe Përgjigjeve; Regjistri Elektronik i Kërkesave dhe Përgjigjeve nëpërmjet portalit pyetshtetin.al, instalimi/përditësimi i tij në autoritete publike të reja apo ku ka patur ndryshim të koordinatorit, si dhe mbi përmbushjen e detyrimeve të legjislacionit lidhur me të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e informacionit publik. Stafi i Zyrës së Komisionerit bashkëveproi me të pranishmit për të adresuar problematika nga më të ndryshmet në lidhje me përditësimin e vazhdueshëm të tyre, duke ofruar shembuj sipas praktikave më të mira vendase dhe të huaja. Nëpërmjet këtyre instrumenteve/mekanizmave çdo autoritet publik përveçse forcon akoma më tej transparencën proaktive, ndikon, po ashtu edhe në përmirësimin e shërbimeve që u ofron qytetarëve apo grupeve të interesit.