Qasja dhe aksesi në informacion, Dervishi: KDIMDP e angazhuar për të rritur transparencën e autoriteteve publike

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale z. Besnik Dervishi mori pjesë në takimin e katërt të grupeve tematike të punës mbi qasjen/aksesin në informacion, i organizuar në kuadër të projektit “Promovimi i Lirisë së Shprehjes në Shqipëri përmes Dialogut të Hapur”, i bashkëfinancuar nga BE/Këshilli i Europës dhe në koordinim me Departamentin e Gazetarisë Universiteti i Tiranës. Diskutimet u përqëndruan te shkëmbimi i përvojave, situata aktuale, rekomandimet praktike për permiresimin e aksesit në informacion në vendin tonë.

Komisioneri Dervishi bëri një rezyme të punës së Zyrës si dhe të performancës së institucioneve në raport me zbatueshmerinë e ligjit për të drejtën e informimit. Dervishi solli në vëmendje të grupeve të interesit se institucioni që ai drejton është i angazhuar për rritjen e llogaridhënies dhe transparencës së autoriteteve publike dhe se ligji nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” duhet promovuar nga të gjithë palët pasi i përmbush të gjitha kushtet për të qënë i zbatueshëm plotësisht si nga autoritet publike ashtu edhe nga çdo subjekt kërkues i informacionit.

Duke u ndalur te situata aktuale, theksoi se aksesi i gazetarëve në informacionin publik ka një rëndësi të veçantë, megjithatë duhet mbajtur parasysh se drejta e informimit është e ndryshme nga liria e shprehjes.

Qasja dhe aksesi në informacion është një komponent themelor i qeverisjes demokratike, transparencës dhe llogaridhënies.