Trajnim për stafin e Zyrës së Komisionerit mbi të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale

“E Drejta për Informim dhe Mbrojtja e të Dhënave Personale” ishte tema e një trajnimi të zhvilluar për stafin e Zyrës së Komisionerit, në bashkëpunim me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike. Aktiviteti kishte në fokus rritjen e kapaciteteve profesionale të punonjësve të institucionit, duke forcuar më tej zbatimin efektiv të ligjit dhe shërbimin ndaj publikut.

Trajnimi u udhëhoq nga dy trajneret e certifikuara, znj. Elona Hoxhaj dhe znj. Pjerina Mema, të cilat mbajnë edhe funksionin e drejtoreshave të përgjithshme në fushat e informimit dhe të dhënave personale pranë Zyrës së Komisionerit. Ato ndanë njohuritë e tyre të specializuara, duke sjellë jo vetëm sqarime teorike, por edhe raste konkrete nga praktika e përditshme, që ndihmojnë në kuptimin dhe zbatimin e legjislacionit.

Pjesëmarrësit u njohën me rëndësinë e dy ligjeve themelore në këtë fushë:

  • Ligjin nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”;
  • Ligjin e ri nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.

Në aspektin e informimit, u theksuan tema si: e drejta e qytetarëve për informim dhe transparencë, roli i koordinatorit për të drejtën e informimit, kufizimet ligjore në aksesin ndaj informacionit publik, si dhe procedurat që ndjek Zyra e Komisionerit për shqyrtimin e ankesave.

Ndërkohë, pjesa e mbrojtjes së të dhënave personale u përqendrua në parimet e përpunimit ligjor të të dhënave, të drejtat e subjekteve, detyrimet e kontrolluesve dhe përpunuesve, si dhe çështjet që lidhen me transferimin ndërkombëtar të të dhënave. Znj. Mema solli një përmbledhje të risive që sjell ligji i ri, në krahasim me legjislacionin e mëparshëm, duke sqaruar kompetencat e zgjeruara të Komisionerit në këtë fushë.

Për të lehtësuar kuptueshmërinë e ligjeve, trajneret sollën shembuj praktikë, të cilët pasqyrojnë sfidat dhe zgjidhjet më të shpeshta në punën e përditshme të administratës. Në përfundim, u theksua se Zyra e Komisionerit organizon rregullisht aktivitete të tilla, si pjesë e përpjekjeve për përmirësimin e vazhdueshëm të punës dhe për të garantuar një zbatim sa më efektiv të ligjeve që mbrojnë të drejtat e qytetarëve.

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie me qëllim përmirësimin e përvojës së përdoruesit.
Cookie-t ruhen në shfletuesin tuaj dhe mundësojnë funksione të ndryshme, përfshirë njohjen e vizitave të përsëritura në faqe, si dhe analizimin e mënyrës së përdorimit, në mënyrë që të kuptojmë cilat seksione ju duken më relevante, interesante dhe të dobishme.

Politikat e privatësisë