Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me projektin Bashki të Forta të Helvetas dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, organizuan më 29 Shtator 2025, në qytetin e Lezhës një aktivitet kushtuar Ditës Ndërkombëtare të së Drejtës për Informim, një ngjarje, që thekson rëndësinë e transparencës, qeverisjes së hapur dhe llogaridhënies publike.
Në hapje të aktivitetit, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, theksoi rolin thelbësor të së drejtës për Informim, si një nga të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, e sanksionuar në Kushtetutë.
“E drejta për informim është një mjet kyç për të rritur besimin e publikut, për të forcuar demokracinë dhe për të garantuar kontrollin e qeverisjes nga qytetarët. Kjo ditë na kujton çdo vit se, transparenca nuk është thjesht një detyrim ligjor, por një kulturë pune e përditshme që forcon marrëdhënien mes qytetarit dhe institucioneve” u shpreh ai.
Dervishi falënderoi organizatorët dhe partnerët: projektin “Bashki të Forta” të Helvetas, përfaqësuar nga drejtori Norbert Pijls, Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) me në krye z. Sotiraq Hroni, si dhe Bashkinë Lezhë, të përfaqësuar nga kryetari z. Pjerin Ndreu.
Ai nënvizoi rëndësinë e Programeve të Transparencës, të cilat janë instrumenti bazë për ushtrimin praktik të së drejtës për informim, duke theksuar se, monitorimi i vazhdueshëm nga Zyra e Komisionerit dhe përmirësimi i këtyre programeve nga bashkitë përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt një administrate më të hapur dhe më afër qytetarëve.
Kryetari i Bashkisë Lezhë, z. Pjerin Ndreu, theksoi se, bashkia që ai drejton si edhe ajo e Shkodrës, kanë arritur 100% nivel transparence.
“Njerëzit sot i kanë sytë nga bashkia për çdo punë që bëjmë. Ne zhvillojmë konsultime publike edhe pse nuk kemi gjithmonë mundësi për t’u shfaqur në media të mëdha, por nëpërmjet rrjeteve dhe faqes sonë zyrtare pasqyrojmë punën në mënyrë të rregullt. Për shkak të afërsisë dhe kontaktit të drejtpërdrejtë me qytetarët, bashkitë kanë një rol të posaçëm në forcimin e transparencës,” u shpreh Ndreu.
Nga ana e tij, z. Norbert Pijls, drejtor i projektit Bashki të Forta, nënvizoi se, pa informim nuk ka ndikim real.
“Transparenca është themeli, mbi të cilin ndërtohet pjesëmarrja e qytetarëve. Nëse qytetarët nuk janë të informuar, nuk mund të marrin pjesë në mënyrë të përgjegjshme në vendimmarrje. Projekti ‘Bashki të Forta’ ka synuar të përmirësojë infrastrukturën e informimit, për shembull duke mundësuar, që mbledhjet e këshillave bashkiakë të transmetohen live, gjë që rrit aksesin dhe besimin te qeverisja vendore. Duhet theksuar edhe autonomia e bashkive, si bazë për këtë proces,” tha ai.
Në vijim, z. Sotiraq Hroni, drejtor ekzekutiv i IDM, u ndal tek funksionimi i këshillave bashkiakë:
“Këshillat bashkiakë duhet të funksionojnë në një nivel tjetër, ku kryetari i bashkisë të jetë në të njëjtin plan me kryetarin e këshillit. Roli i këshillit është shumë i rëndësishëm dhe përmes funksionalizimit të tyre rritet transparenca, ndërsa kryetari i bashkisë ka një ndikim të madh për të përmirësuar kulturën e hapjes ndaj qytetarëve,” u shpreh Hroni.
Ky aktivitet ishte një hap i rëndësishëm, për të nxitur dialogun mes institucioneve publike, shoqërisë civile dhe qytetarëve, me synimin për të kthyer transparencën në një praktikë të përditshme pune. Kjo tryezë shënon edhe takimin e parë të konsultimit publik të modelit të ri të programit të transparencës për njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe i paraprin takimeve të tjera në vend.
“Le të shfrytëzojmë simbolikën e kësaj dite, që festohet në mbarë botën, për të vijuar përpjekjet tona të përbashkëta, për më shumë transparencë dhe llogaridhënie, duke nxitur më shumë besim mes qytetarëve dhe institucioneve” – përfundoi fjalën e tij Komisioneri Dervishi.
Aktiviteti u mbyll me prezantimin e programit të ri model të transparencës për njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe rubrikën e këshillave bashkiakë në këtë program, respektivisht nga Drejtorja e Përgjithshme e së Drejtës për Informim në Zyrën e Komisionerit, znj. Elona Hoxhaj dhe ekspertja e Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, znj. Marsela Dautaj.