Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, mori pjesë në Sesionin Plenar të Konventës Kombëtare për Integrimin Europian, organizuar nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) me mbështetjen e Bashkimit Europian. Takimi trajtoi të drejtat e njeriut dhe liritë themelore në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së dhe mblodhi aktorë nga institucione publike, shoqëria civile, akademia dhe media për të diskutuar progresin dhe sfidat e reformave të Kapitullit 23 dhe standardeve europiane.
Në panelin hapës të këtij sesioni, Komisioneri Dervishi theksoi se anëtarësimi në BE mbetet një objektiv strategjik kombëtar dhe se Zyrës së Komisionerit i takon një rol i rëndësishëm në të gjitha fazat e procesit. Ai vuri në dukje se ligji i ri nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, shënon një hap të madh në përmbushjen e një prej 14 piketave të Grupkapitullit të parë “Themelorët”. Dervishi solli në vëmendje edhe Raportin e fundit të Komisionit Evropian, i cili vlerëson progresin e vendit në këtë fushë, por nënvizon gjithashtu nevojën për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe zbatimin praktik të ligjit.

Komisioneri theksoi gjithashtu rëndësinë e partneriteteve me organizatat e shoqërisë civile për të nxitur transparencën, pjesëmarrjen qytetare dhe mbrojtjen e të drejtave në përgjithësi, duke vlerësuar bashkëpunimin me EMA-n, por edhe me Avokatin e Popullit dhe Autoritetin e Mediave Audiovizive.
Gjithashtu në kuadër të kësaj Konvente, Drejtoresha e Kabinetit e Zyrës së Komisionerit, znj. Besa Velaj, mori pjesë në Panelin 3: “Liria, Privatësia dhe Llogaridhënia”, ku trajtoi sfidat në zbatimin e kuadrit të ri ligjor, rolin e transparencës dhe llogaridhënies në forcimin e besimit publik, si dhe përfshirjen e medias dhe shoqërisë civile në promovimin e standardeve europiane.
Pjesëmarrësit në këtë aktivitet, dikutuan mbi problematikat në kuadër të transparencës.
