Zyra e Komisionerit dhe KUB me leksion të hapur për studentët në Ditën Ndërkombëtare të Mbrojtjes së të Dhënave Personale

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale shënoi Ditën Ndërkombëtare të Mbrojtjes së të Dhënave Personale me një sërë aktivitetesh ndërgjegjësuese, edukative dhe bashkëpunuese, që synojnë forcimin e kulturës së mbrojtjes së të dhënave dhe respektimin e të drejtave të qytetarëve në epokën digjitale.

Në kuadër të kësaj dite, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (IDPC) dhe Kolegji Universitar i Biznesit (KUB) bashkëorganizuan një leksion të hapur me studentët, mbi rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave personale.

Gjatë këtij aktiviteti, Komisioneri z. Besnik Dervishi theksoi se “të dhënat personale janë identiteti ynë. Ato janë thelbësore për çdo fushë të jetës dhe përpunimi i tyre duhet të bëhet me kujdes, përgjegjshmëri dhe në përputhje me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale”. Ai shtoi se Zyra e Komisionerit, si autoritet mbikëqyrës, ka një rol të drejtpërdrejtë në garantimin e respektimit të ligjit në fusha të ndjeshme.

Rektori i Kolegjit Universitar të Biznesit, z. Ylber Bezo, përshëndeti aktivitetin dhe theksoi se bashkëpunime të tilla me Zyrën e Komisionerit janë shumë të rëndësishme për studentët, pasi i ndihmojnë ata të kuptojnë se mbrojtja e të dhënave personale është thelbësore dhe pjesë e përgjegjësisë qytetare dhe profesionale.

Drejtorja e Kabinetit, znj. Besa Velaj, dhe Sekretarja e Përgjithshme, znj. Blerta Nerguti, të cilat ishin pjesë e këtij leksioni të hapur, shpjeguan rrugëtimin e miratimit të ligjit nr. 124/2024, nevojën për përafrimin e tij me standardet e Bashkimit Evropian dhe Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR), si dhe sfidat e zbatimit të tij në praktikë.

Znj. Blerta Nerguti u ndal te roli i këtij ligji në procesin e integrimit evropian, duke theksuar se mbrojtja e të dhënave personale është një nga kërkesat themelore për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe një indikator kyç i forcimit të shtetit të së drejtës.

Ndërsa znj. Velaj foli për arsyet që sollën nevojën për miratimin e këtij ligji, duke theksuar zhvillimin e shpejtë teknologjik, rritjen e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e të dhënave personale dhe ndikimin e projekteve ndërkombëtare ku Shqipëria është e përfshirë.

Zyra e Komisionerit mbetet e përkushtuar në misionin e saj për të forcuar respektimin e ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, për të rritur transparencën dhe përgjegjësinë institucionale, si dhe për të ndërtuar një kulturë të qëndrueshme të mbrojtjes së të dhënave personale në Shqipëri.

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie me qëllim përmirësimin e përvojës së përdoruesit.
Cookie-t ruhen në shfletuesin tuaj dhe mundësojnë funksione të ndryshme, përfshirë njohjen e vizitave të përsëritura në faqe, si dhe analizimin e mënyrës së përdorimit, në mënyrë që të kuptojmë cilat seksione ju duken më relevante, interesante dhe të dobishme.

Politikat e privatësisë