Në kuadër të Samitit Global të Privatësisë në Washington, D.C., u zhvillua aktiviteti i dedikuar për Autoritetet e Mbrojtjes së të Dhënave (DPA Day), me një agjendë të posaçme të fokusuar në forcimin e bashkëpunimit institucional dhe zhvillimet më të fundit në fushën e privatësisë.
Në këtë kuadër, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, mori pjesë në sesionet e nivelit të lartë duke zhvilluar takime dhe diskutime me përfaqësues të institucioneve rregullatore dhe ato ligjzbatuese.
Në sesionin hapës pjesëmarrësit u njohën me përvojat e përfaqësuesve të institucioneve të rëndësishme amerikane, përfshirë Zëvendës Drejtorin e Zbatimit të Agjencisë së Mbrojtjes së Privatësisë së Kalifornisë, si dhe Zëvendës Prokurorin e Përgjithshëm të Departamentit të Drejtësisë së Delaware, John Allen Eakins, me të cilin u trajtuan praktikat më të mira në fushën e hetimeve dhe zbatimit të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale.
Më tej, agjenda vijoj me panelin e nivelit të lartë mbi prioritetet e administratës amerikane në fushën e privatësisë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Departamenti i Shtetit, Departamenti i Drejtësisë, Komisioni Federal i Tregtisë dhe Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare.
Pjesë e programit ishte dhe sesioni i zhvilluar në Capitol Hill mbi qasjen aktuale legjislative të Shteteve të Bashkuara për mbrojtjen e privatësisë së konsumatorit, të organizuar me pjesëmarrjen e Komisionit për Energjinë dhe Tregtinë të Dhomës së Përfaqësuesve. Aktivitetet vijuan me vizitën institucionale në Komisionin Federal të Tregtisë, ku u zhvillua një pritje e organizuar nga Zyra e Marrëdhënieve Ndërkombëtare e këtij institucioni.
Në kuadër të këtyre aktiviteteve, Komisioneri Dervishi zhvilloi gjithashtu takime me përfaqësues të institucioneve homologe dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke shkëmbyer përvoja mbi zbatimin e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale, mekanizmat e mbikëqyrjes dhe sfidat e reja që sjell zhvillimi teknologjik.
Aktiviteti u përmbyll me takimin e Presidentit të Komisionit Federal të Tregtisë, Andrew N. Ferguson, ku u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe koordinimin ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes së të dhënave.