Komiteti Ekzekutiv i ICIC zhvilloi mbledhjen e tretë të radhës, e cila u hap nga Komisioneri Besnik Dervishi, me një fjalë përshëndetëse.
Diskutimet u përqëndruan te përgatitjet për konferencën e ardhshme të ICIC, ku anëtarët u informuan mbi ecurinë e organizimit dhe aspektet logjistike që lidhen me pjesëmarrjen në këtë aktivitet.
Një ndër çështjet e trajtuara gjatë takimit ishte edhe mundësia e rinovimit të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet ICIC dhe UNESCO-s, i cili pritet të përfundojë së shpejti. Zyra e Komisionerit, në rolin e Sekretariatit të ICIC, prezantoi hapat e mundshëm për vijimin e bashkëpunimit, ndërsa Komiteti shprehu dakordësinë për nisjen e komunikimeve lidhur me rinovimin e memorandumit dhe zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit institucional.
Gjatë mbledhjes u diskutua gjithashtu edhe iniciativa për hartimin e deklaratës së përbashkët të konferencës ICIC–UNESCO, si dhe çështje që lidhen me zgjerimin e anëtarësisë së ICIC. Në këtë kuadër, u theksua rëndësia e përfshirjes së vendeve që kanë miratuar legjislacionin përkatës, por që ende nuk janë pjesë e ICIC si anëtarë të akredituar. Mbledhja e ardhshme e Komitetit Ekzekutiv pritet të mbahet gjatë muajit korrik.