Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në ushtrim të funksioneve të saj si autoritet mbikëqyrës për mbrojtjen e të dhënave personale, ka konstatuar publikimin dhe qarkullimin në media, portale informative dhe rrjete sociale të pamjeve që paraqesin një person të identifikueshëm, i cili ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti.
Legjislacioni për mbrojtjen e të dhënave personale garanton që çdo përpunim i të dhënave personale të kryhet në mënyrë të ligjshme, të drejtë dhe proporcionale, duke respektuar dinjitetin dhe të drejtat themelore të individit. Në këtë kuadër, publikimi i imazheve apo videove që ekspozojnë persona në gjendje të rëndë apo të pajetë kërkon një vlerësim të kujdesshëm të balancës ndërmjet interesit publik për informim dhe të drejtës për jetë private dhe dinjitet njerëzor.
Statusi i figurave publike apo familjarëve të figurave publike, si dhe interesi mediatik lidhur me ngjarjen nuk përbën, në vetvete, bazë të mjaftueshme për publikimin e pamjeve me përmbajtje të rëndë.
Neni 35 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neni 8 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe ligji nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” garantojnë të drejtën për respektimin e jetës private dhe mbrojtjen e të dhënave personale. E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare mbrohet në çdo rast. Informimi i publikut duhet të respektojë kufijtë e parashikuar nga kuadri ligjor.
Shpërndarja e pamjeve të tilla mund të përbëjë cenim të rëndë të dinjitetit njerëzor dhe të sjellë pasoja të drejtpërdrejta për familjarët dhe personat e lidhur me viktimën dhe bie ndesh me parashikimet e nenit 43 të ligjit nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, si dhe me Udhëzimin e Komisionerit nr. 07/2025 “Për mbrojtjen e të dhënave personale në median e shkruar, elektronike dhe/ose audiovizive”.
Për sa më sipër, Zyra e Komisionerit u bën thirrje të gjitha mediave vizive dhe online, administratorëve të faqeve në rrjete sociale dhe çdo subjekti tjetër (përfshirë edhe persona përdorues të rrjeteve sociale) që kanë publikuar apo shpërndarë këto pamje, të ndërpresin menjëherë çdo përpunim të mëtejshëm të tyre dhe të marrin masa për heqjen e përmbajtjes nga platformat përkatëse.
Mosrespektimi i detyrimeve të parashikuara nga ligji nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” mund të sjellë marrjen e masave administrative dhe vendosjen e sanksioneve sipas legjislacionit në fuqi.