Raporti Vjetor 2025, Komisioneri Dervishi: Transparenca dhe mbrojtja e të dhënave personale shtylla të integrimit evropian

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, prezantoi para Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Raportin Vjetor të veprimtarisë së institucionit për vitin 2025, duke informuar mbi ecurinë e zbatimit të legjislacionit për të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale, rezultatet e arritura gjatë vitit raportues, si dhe sfidat dhe prioritetet e institucionit në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Gjatë prezantimit të raportit, Komisioneri theksoi se viti 2025 përkoi me një fazë të rëndësishme të zhvillimit institucional, të karakterizuar nga hyrja në fuqi e ligjit nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i cili harmonizon kuadrin ligjor shqiptar me standardet më të avancuara të Bashkimit Evropian në këtë fushë. Në këtë kuadër, Zyra e Komisionerit përmbushi brenda afateve ligjore detyrimin për hartimin dhe miratimin e akteve nënligjore të nevojshme për zbatimin e ligjit, proces i cili është vlerësuar pozitivisht edhe nga institucionet e Bashkimit Evropian si një përmbushje në kohë dhe në përputhje me standardet evropiane të mbrojtjes së të dhënave personale.

Duke u ndalur te e drejta për informim, Komisioneri evidentoi progresin e arritur në forcimin e transparencës proaktive të autoriteteve publike. Gjatë vitit 2025 u monitoruan 367 autoritete publike, ndërsa rezultatet e Indeksit të Transparencës Proaktive tregojnë rritje të numrit të institucioneve të kategorizuara me nivel të lartë transparence. Gjithashtu, u miratuan dy modelet e reja të Programeve të Transparencës për autoritetet publike dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, duke reflektuar zhvillimet ligjore, standardet evropiane dhe kërkesat që burojnë nga procesi i integrimit.

Raporti evidenton gjithashtu rritjen e numrit të kërkesave për informacion të trajtuara nga autoritetet publike dhe përmirësimin e cilësisë së përgjigjeve të dhëna qytetarëve. Gjatë vitit raportues, autoritetet publike kanë trajtuar mbi 13 mijë kërkesa për informacion, ndërsa është rritur ndjeshëm numri i përgjigjeve të plota të ofruara ndaj publikut, duke reflektuar një kulturë në zhvillim të transparencës dhe llogaridhënies institucionale.

Në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale, Komisioneri vuri në dukje intensifikimin e veprimtarisë mbikëqyrëse dhe rregullatore të institucionit, në funksion të garantimit të respektimit të të drejtave themelore të individëve dhe përputhshmërisë së përpunimit të të dhënave personale me standardet kombëtare dhe evropiane. Dervishi solli në vëmendje se Zyra e Komisionerit ka trajtuar gjate vitit 2025, 854 ankesa, ndërsa ka kryer 93 hetime ne total mbi bazë ankese dhe ex-officio.

Po ashtu sipas Komisionerit, Zyra ka vijuar të luajë një rol aktiv në procesin e integrimit evropian dhe në forumet ndërkombëtare të transparencës dhe mbrojtjes se te dhenave, duke përfaqësuar Shqipërinë në organizmat kryesorë evropianë dhe globalë të fushave.

Duke analizuar sfidat e evidentuara gjatë vitit raportues, Komisioneri theksoi se transformimi digjital, përdorimi gjithnjë e më i gjerë i teknologjive të reja dhe rritja e volumit të përpunimit të të dhënave personale kërkojnë forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale. Sipas tij, sfidat lidhen jo vetëm me rritjen e ndërgjegjësimit dhe përputhshmërisë së autoriteteve publike dhe subjekteve private me legjislacionin në fuqi, por edhe me nevojën për investime të vazhdueshme në sigurinë e informacionit, infrastrukturën teknologjike dhe burimet njerëzore të specializuara.

Në këtë drejtim, Komisioneri Dervishi nënvizoi se zgjerimi i kompetencave të Zyrës së Komisionerit, veçanërisht pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri për mbrojtjen e të dhënave personale, ka sjellë rritje të ndjeshme të përgjegjësive mbikëqyrëse të Zyrës së Komisionerit. Për këtë arsye, ai evidentoi nevojën për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve profesionale, rritjen e numrit të specialistëve, përmirësimin e infrastrukturës teknologjike dhe sigurimin e burimeve financiare të përshtatshme, si kushte të domosdoshme për përmbushjen efektive të mandatit të institucionit dhe të detyrimeve që burojnë nga procesi i integrimit evropian.

Në përfundim, Komisioneri ritheksoi se e drejta për informim dhe mbrojtja e të dhënave personale mbeten dy shtylla themelore të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, duke nënvizuar se forcimi i standardeve të transparencës, llogaridhënies dhe mbrojtjes së të dhënave përbën një objektiv të përhershëm në funksion të mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve dhe konsolidimit të institucioneve demokratike në vend.

Për të aksesuar raportin e plotë të Zyrës së Komisionerit klikoni lidhjen: https://idp.al/raporte-vjetore/ .

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie me qëllim përmirësimin e përvojës së përdoruesit.
Cookie-t ruhen në shfletuesin tuaj dhe mundësojnë funksione të ndryshme, përfshirë njohjen e vizitave të përsëritura në faqe, si dhe analizimin e mënyrës së përdorimit, në mënyrë që të kuptojmë cilat seksione ju duken më relevante, interesante dhe të dobishme.

Politikat e privatësisë