Transparenca dhe integriteti në veprimtarinë e lobimit, konsultim për aktet nënligjore, Dervishi: Publiku duhet të dijë kush ndikon në vendimmarrje!

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale organizoi takimin “Transparenca dhe Integriteti në Veprimtarinë e Lobimit”, me fokus kuadrin e ri ligjor për lobimin në Republikën e Shqipërisë dhe paketën e projektakteve nënligjore që do të mundësojnë zbatimin e tij në praktikë.

Takimi u përshëndet nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi; Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, znj. Adea Pirdeni; Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, znj. Giulia Re; si dhe Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Sh.S. znj. Siri Walt. Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve publike, partnerëve ndërkombëtarë dhe shoqërisë civile.

Në fjalën e tij, Komisioneri Dervishi theksoi se kuadri i ri për lobimin synon të rrisë transparencën mbi mënyrën se si interesa dhe aktorë të ndryshëm ndërveprojnë me vendimmarrjen publike.

“Kur përmendet fjala Lobim, shpesh krijohet përshtypja se biseda kryhet në korridor të errët, mundësisht edhe me perde të rënda e të mbyllura. Kuadri i ri ligjor, por edhe objektivi ynë, është t’i japë dritë këtij mjedisi dhe të kemi një marrëdhënie të institucionalizuar.”, u shpreh Komisioneri.

Dervishi nënvizoi se në një sistem demokratik është e natyrshme që vendimmarrësit të dëgjojnë ekspertizën dhe interesat e grupeve të ndryshme, ndërsa problemi lind kur ndikimi mbetet i padukshëm ose kur mundësia për t’u dëgjuar perceptohet si privilegj i një numri të kufizuar aktorësh.

“Në një sistem demokratik, interesat trokasin në derën e vendimmarrjes. Por, publiku duhet ta dijë kush trokiti, për kë dhe për çfarë”, theksoi ai.

Ligji nr. 12/2026 “Për Lobimin në Republikën e Shqipërisë” i ka ngarkuar Zyrës së Komisionerit mbikëqyrjen e kuadrit të ri dhe kompetencën për hartimin dhe miratimin e akteve nënligjore. Komisioneri theksoi se kjo përgjegjësi e re nuk është e shkëputur nga roli që institucioni ushtron prej vitesh si garant i së drejtës për informim, por lidhet drejtpërdrejt me transparencën, aksesin në informacion dhe llogaridhënien e institucioneve publike.

E drejta e informimit i mundëson publikut të njohë vendimet dhe dokumentet, ndërsa transparenca e veprimtarisë së lobimit bën të dukshme rrugën e ndikimeve që u paraprin vendimeve. Të dyja i shërbejnë një pushteti publik më të hapur dhe më të përgjegjshëm”, deklaroi Dervishi.

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, znj. Adea Pirdeni, e cilësoi ndërtimin e kuadrit të ri të lobimit si një proces të vështirë dhe sfidues, duke nënvizuar rëndësinë e vendosjes së transparencës në themel të ndërveprimit mes interesave dhe vendimmarrjes publike.

Me ligjin për lobimin kemi zgjedhur të vendosim transparencën në themel të mënyrës se si interesat ndërveprojnë me vendimmarrjen publike. Tani përgjegjësia jonë është që këtë parim ta bëjmë real në praktikë, përmes rregullave të qarta, institucioneve të përgjegjshme dhe një standardi që forcon besimin e publikut në vendimmarrje”. u shpreh Pirdeni.

Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, znj. Giulia Re, nënvizoi rëndësinë e transparencës dhe të rregullave të qarta në këtë fushë.

“Lobimi është një pjesë legjitime e pjesëmarrjes demokratike, por ai duhet të jetë transparent, i përgjegjshëm dhe t’u nënshtrohet rregullave të qarta. Transparenca nuk e pengon dialogun mes vendimmarrësve dhe atyre që preken nga vendimet e tyre; përkundrazi, ajo ndihmon që ky dialog të zhvillohet në mënyrë të hapur dhe të drejtë”, u shpreh Re.

 Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Sh.S. znj. Siri Walt, theksoi se transparenca në procesin e vendimmarrjes forcon besimin tek institucionet publike.

“Kur qytetarët mund të shohin se kush ndikon në vendimmarrjen publike dhe se si merren vendimet, besimi tek institucionet publike rritet. Transparenca ndihmon në krijimin e kushteve të barabarta për të gjithë aktorët dhe zvogëlon mundësitë për ndikim të paligjshëm dhe korrupsion”, u shpreh Walt.

Gjatë aktivitetit u prezantua paketa me tetë projektakte nënligjore, e hartuar me ekspertizën e Këshillit të Evropës dhe financimin e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim. Aktet përcaktojnë në mënyrë konkrete funksionimin dhe administrimin e Regjistrit të Lobimit, procedurat e regjistrimit, deklarimin e veprimtarisë së lobimit, identifikimin dhe menaxhimin e konfliktit të interesit, verifikimin dhe përditësimin e të dhënave, administrimin e dokumentacionit, si dhe standardet e sjelljes.

Në vijim të takimit u diskutua mbi transparencën e lobimit dhe integritetin në vendimmarrje nga perspektiva e politikave publike, standardet dhe praktikat evropiane për zbatimin efektiv të kuadrit ligjor, si dhe perspektiva e shoqërisë civile mbi transparencën, pjesëmarrjen dhe integritetin në vendimmarrje. Në panel kontribuuan përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Antikorrupsionit, Këshillit të Evropës dhe Lëvizjes Europiane në Shqipëri.

Aktiviteti vijoi me një diskutim të hapur, ku pjesëmarrësit patën mundësi të paraqesin pyetje, komente dhe rekomandime mbi paketën e projektakteve dhe mënyrën e funksionimit të sistemit të ri të lobimit.

Kontributi i institucioneve publike, ekspertëve, shoqërisë civile, komunitetit të biznesit dhe aktorëve që do të ndërveprojnë me sistemin e lobimit do të jetë i rëndësishëm për ndërtimin e një mekanizmi funksional, transparent dhe të zbatueshëm në praktikë.

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie me qëllim përmirësimin e përvojës së përdoruesit.
Cookie-t ruhen në shfletuesin tuaj dhe mundësojnë funksione të ndryshme, përfshirë njohjen e vizitave të përsëritura në faqe, si dhe analizimin e mënyrës së përdorimit, në mënyrë që të kuptojmë cilat seksione ju duken më relevante, interesante dhe të dobishme.

Politikat e privatësisë