Transparenca dhe mbrojtja e të dhënave personale duhet të jenë pjesë thelbësore e transformimit digjital të administratës publike. Ky ishte mesazhi kryesor i kontributit të Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në konferencën ndërkombëtare KosovaPAR 2026, të zhvilluar në Prishtinë, më 28–30 tetor 2026.
Me ftesë të Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike të Republikës së Kosovës, Zyra e Komisionerit u përfaqësua nga znj. Rovena Sulstarova, Drejtore e Përgjithshme për të Drejtën e Informimit, e cila kontribuoi në panelin “Transparenca, Qasja në Informacion dhe të Drejtat në Administratën Publike Moderne”.
Duke ndarë përvojën e Zyrës së Komisionerit, znj. Sulstarova theksoi se një administratë digjitale nuk është domosdoshmërisht një administratë transparente. Shërbimet më të shpejta dhe më të aksesueshme nuk garantojnë vetvetiu që qytetarët të kuptojnë kriteret e vendimmarrjes apo mënyrën se si përpunohen të dhënat e tyre personale. Për këtë arsye, përdorimi i teknologjisë dhe i inteligjencës artificiale duhet të shoqërohet me transparencë proaktive dhe informacion të qartë e të kuptueshëm mbi veprimtarinë e institucioneve publike.
Diskutimet u përqendruan në zbatimin efektiv të kuadrit ligjor, publikimin proaktiv të informacionit të përditësuar dhe integrimin e parimeve të mbrojtjes së të dhënave personale dhe sigurisë që në fazën e projektimit të sistemeve digjitale. Vëmendje e veçantë iu kushtua mbikëqyrjes njerëzore në përdorimin e inteligjencës artificiale dhe forcimit të kapaciteteve profesionale të administratës, si kushte për garantimin e të drejtave dhe rritjen e besimit të qytetarëve në shërbimet publike digjitale.
Paneli u moderua nga z. Pajtim Gashi, Drejtor i Programit në Institutin Kombëtar Demokratik (NDI), me pjesëmarrjen e znj. Krenare Sogojeva-Dermaku, Komisionere në Agjencinë e Informimit dhe Privatësisë së Republikës së Kosovës, z. Lirim Bllaca, Drejtor Operativ në TRECCERT dhe znj. Kaltrina Haxha, Drejtore e Përputhshmërisë dhe Oficere e Mbrojtjes së të Dhënave në ProCredit Bank Kosova. Diskutimi u pasua nga pyetje dhe shkëmbime me audiencën mbi sfidat praktike të transparencës dhe mbrojtjes së të dhënave personale në administratën moderne.
