Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale mirëpriti sot, më 4 nëntor 2026, studentë të Fakultetit të Shkencave Juridike dhe Humane të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, të shoqëruar nga lektorja znj. Luljeta Kodra. Trajnimi u zhvillua në kuadër të lëndëve të së drejtës kushtetuese dhe administrative, me fokus të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Në hyrje, pjesëmarrësit u njohën me institucionin, fushat e veprimtarisë së tij në tërësi dhe kanalet e komunikimit për të marrë informacion e orientim apo për të paraqitur ankesa.
Në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale, znj. Renata Neli, Drejtore e Drejtorisë së Mbikëqyrjes në Fushën e Drejtësisë Penale dhe Sigurisë Publike, prezantoi risitë e kuadrit ligjor, parimet e përpunimit dhe të drejtat e individëve, krahas detyrimeve të kontrolluesve dhe përpunuesve. Përmes rasteve praktike dhe jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, u trajtuan edhe garancitë për mbrojtjen e të dhënave gjatë përpunimit të tyre nga autoritetet kompetente në fushën penale.
Në fushën e së drejtës së informimit, znj. Emerlinda Pema, Drejtore e Drejtorisë së Monitorimit të Programeve të Transparencës, trajtoi aksesin në informacionin publik, detyrimet e autoriteteve publike për transparencë proaktive dhe mekanizmat e ankimit pranë Komisionerit. Rastet nga vendimmarrja e institucionit shërbyen për të shpjeguar zbatimin e ligjit në praktikë dhe raportin ndërmjet transparencës dhe mbrojtjes së të dhënave personale.

Pyetjet dhe diskutimet gjatë trajnimit u dhanë studentëve mundësinë të lidhnin njohuritë e përftuara në auditor me veprimtarinë e institucionit dhe mekanizmat konkretë të garantimit të këtyre të drejtave.
Znj. Luljeta Kodra vlerësoi mikpritjen dhe punën e Zyrës së Komisionerit, duke veçuar profesionalizmin e prezantimeve dhe vlerën e rasteve praktike për formimin juridik të studentëve. Ajo shprehu interesin për thellimin e bashkëpunimit, përmes aktiviteteve që ndihmojnë në lidhjen e përgatitjes akademike me praktikën institucionale.
Në mbështetje të informimit të mëtejshëm mbi këto dy fusha, Zyra e Komisionerit u shpërndau pjesëmarrësve botime të institucionit.