Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në datat 29 dhe 30 shtator, organizoi në bashkëpunim me Instrumentin e Asistencës Teknike për Shkëmbimin e Informacionit të Bashkimit Evropian (TAIEX), “Seminarin mbi Median dhe Përputhshmërinë me Parimet e Mbrojtjes së të Dhënave”. Në këtë aktivitet referuan disa ekspertëve të mirënjohur ndërkombëtarë në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale dhe medias nga Britania, Gjermania, Sllovenia dhe Lituania; si dhe ekspertë vendas.
Pjesëmarrës në Seminar ishin përfaqësues të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë; institucioneve të ndryshme vendase e të huaja; organizatave të shoqërisë civile; gazetarë nga mediat audiovizive, të shkruara dhe portaleve online; si edhe zëdhënës të Autoriteteve Publike. Ky aktivitet synon të informojë aktorët e sektorit publik dhe atij privat mbi normat ligjore dhe standardet e Bashkimit Evropian, kombinuar me një vështrim të përgjithshëm të kuadrit ligjor dhe praktikave kombëtare, në lidhje me përpunimin e të dhënave personale nga mediat. Seminarin e përshëndetën z. Genc Pollo, Kryetar i Komisionit parlamentar të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik; z. Gentian Sala, Kryetar i Autoritetet të Mediave Audiovizive; si dhe z. Stephen Stork, përfaqësuesi i Zyrës së Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë.
Në dy ditë të Seminarit u trajtuan disa çështje me interes për mediat, të tilla si:
- korniza ligjore për mbrojtjen e të dhënave në lidhje me gazetarinë në Shqipëri dhe në BE;
- rëndësia e Kodit të Etikës në media, integriteti profesional dhe gazetaria investigative;
- përparësitë dhe sfidat për ruajtjen e balancës mes gazetarisë së mirë dhe privatësisë së individit në komunitet;
- balancimin e të drejtës për privatësi dhe shkatërrimit të informacionit me interes publik;
- respektimin e të dhënave personale dhe privatësisë në Epokën Digjitale (duke përfshirë edhe median digjitale);
- përdorimin e kamerave të fshehta për qëllime të gazetarisë investigative;
- trajtimin e rasteve konkrete të shkeljes së privatësisë dhe në veçanti, mbrojtja e të dhënave personale e të miturve.