3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Së bashku për garantimin e të drejtave të qytetarëve

Garantimi i të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve është detyrim dhe përgjegjësi si në sferën publike të veprimtarisë shoqërore e ekonomike, ashtu edhe në atë private.

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, Drejtori i Institutit të Nxënësve që nuk Dëgjojnë, znj. Orjola Idrizi dhe Drejtori i Institutit të Nxënësve që nuk Shikojnë “Ramazan Kabashi”, z. Emiliano Lule, nënshkruan Marrëveshjen e Bashkëpunimit institucional. Ky dokument ka për qëllim të nxisë aksesin në informacionin publik dhe mbrojtjen e të dhënave personale për këto komunitete, si dhe të rrisë ndërgjegjësimin për ushtrimin në praktikë të këtyre të drejtave.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut, nga Avokati i Popullit dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Në fjalën e tij përshëndetëse, Komisioneri Dervishi vlerësoi se ky bashkëpunim është hap i rëndësishëm në përfshirjen e këtyre komuniteteve në mirëqeverisje, për forcimin e pavarësisë individuale dhe garantimin e barazisë para ligjit.

Marrëveshja ka si objekt institucionalizimin e bashkëpunimit dhe ndërveprimit për çështje që prekin objektin e veprimtarisë së tre palëve, duke u angazhuar, ndër të tjera në trajtimin e rasteve të individëve që u përkasin këtyre komuniteteve në raport me veprimtarinë e organeve të administratës publike apo entiteteve private, në optikën e fushës së përgjegjësisë së Zyrës së Komisionerit; rritjen e njohjes dhe ndërgjegjësimit me qëllim ushtrimin efektiv të të drejtave themelore të njeriut; propozimin e iniciativave për ndryshime rregullatore në rritjen e cilësisë së shërbimeve për këto komunitete. Po ashtu, dokumenti parashikon organizimin e trajnimeve për forcimin e kapaciteteve administrative; zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta për promovimin mbi ushtrimin e këtyre të drejtave; shkëmbimin e njohurive dhe praktikave të reja në këto dy fusha; si dhe angazhimin në hartimin dhe prodhimin e materialeve ndërgjegjësuese si video/audio, fletëpalosje, broshura, etj, për këto komunitete.

Marrëveshja e Bashkëpunimit