Në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit midis Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Agjencisë për Informim dhe Privatësi të Kosovës (AIP), u zhvillua takimi i dytë me pjesëmarrjen e stafeve përkatës, që kishte për qëllim forcimin e bashkëpunimit profesional, shkëmbimin/diskutimin e rasteve nga praktika administrative, si dhe planifikimin e nismave për të ardhmen.
Komisionerët, znj. Krenare Sogojeva-Dërmaku dhe z. Besnik Dervishi, theksuan rëndësinë e zhvillimit periodik të aktiviteteve të kësaj natyre, duke vlerësuar se sfidat në të dy fushat e përgjegjësisë institucionale janë shtuar dhe se kërkohet dinamikë tjetër për adresimin e tyre.
Aktiviteti u mbajt përgjatë dy ditëve, ku sipas agjendës u prezantua kuadri rregullator dhe veprimtaria e AIP, si dhe u trajtuan detyrat dhe përgjegjësitë e strukturave përbërëse të autoritetit të Kosovës. Në këtë këndvështrim, Zyra e Komisionerit u angazhua në ofrimin e asistencës për zbatimin e kuadrit rregullator në fushën e të drejtës për informim, kryesisht, për hartimin/përditësimin e Programit të Transparencës, duke marrë në konsideratë përvojën e akumuluar në këtë drejtim në Shqipëri. Nga ana tjetër, nga shqyrtimi i rasteve praktike për fushën e mbrojtjes së të dhënave personale, u ra dakord që të intensifikohet bashkëpunimi, edhe në kontekstin e zhvillimit të hetimeve të përbashkëta. Gjatë takimit u vlerësua kontributi i Zyrës së Komisionerit për anëtarësimin e AIP në Konferencën Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit (ICIC). Njëkohësisht, u diskutua për harmonizimin e përpjekjeve për njohjen sa më të gjerë të autoritetit të Kosovës në kuadër të organizmave ndërkombëtare në të dy këto fusha.