|

Zyra e Komisionerit në Panairin e Librit

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ishte e pranishme me stendën e saj në Panairin e 18-të të Librit “Tirana 2015”. Kjo ishte pjesëmarrja e dytë radhazi e Zyrës së Komisionerit në këtë aktivitet, që u zhvillua në datat 11-15 nëntor në mjediset e Pallatit të Kongreseve në kryeqytet.

Pjesëmarrja e Zyrës së Komisionerit në Panairin e Librit ishte një tjetër kontribut me vlerë për të komunikuar sa më shumë dhe drejtpërdrejtë me publikun, për të nxitur ndërgjegjësimin në njohjen me të drejtat e tij kushtetuese: të drejtën për t’u informuar dhe të drejtën e privatësisë dhe mbrojtjen e të dhënave personale. Ky aktivitet me përmasa kombëtare dhe i përvitshëm, u vizitua nga më shumë se 50 mijë qytetarë.

Stenda e Zyrës së Komisionerit e pasur me materiale informative, si libra, revista, broshura, fletëpalosje, video, etj, shërbeu si një pikë e drejtpërdrejtë e kontaktit me qytetarët e shumtë që shprehën interesimin e tyre duke e vizituar atë. Gjatë ditëve të Panairit stafi i Zyrës së Komisionerit iu përgjigj shqetësimeve, pyetjeve dhe kërkesave që qytetarët kishin në lidhje me këto të drejta dhe ushtrimin e tyre në praktikë. Gjithashtu, ata u ftuan që të jenë sa më shumë aktivë në denoncimin pa hezitim të rasteve të shkeljes së këtyre të drejtave pranë Zyrës së Komisionerit. Nga ana tjetër, qytetarët vlerësuan si mjaft pozitive pjesëmarrjen e institucionit tonë në Panair.

Edhe këtë vit, u realizua një mini-sondazh për nivelin e njohjes së Autoritetit dhe punës së tij nga qytetarët. Rezultatet e këtij mini-sondazhi do të publikohen në Konferencën Kombëtare me rastin e 1-vjetorit të hyrjes në fuqi të ligjit Nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, që do të zhvillohet në kryeqytet muajin e ardhshëm. Gjithsesi, jemi të vetëdijshëm se aktivitetet me karakter informues dhe ndërgjegjësues për qytetarët që Zyra e Komisionerit organizon, apo ku ajo përfaqësohet, duhet të jenë më të shpeshta.