Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” organizoi, më 30 nëntor në mjediset e tij, konferencën me temë “E drejta e web-it, mes mbrojtjes së privatësisë, kërkesave për siguri dhe demokracisë”, aktivitet në të cilin ishte i ftuar për të mbajtur një prezantim edhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi.
Në këtë konferencë referuan ndër të tjera edhe prof. Bruno Giardina – Rektori i Universitetit Katolik ZKM; prof. Lorenzo Ornaghi – Këshilltar i Këshillit të Administrimit të Fondacionit ZKM; prof Maurizio Mensi – Shkolla Kombëtare e Administrimit dhe Universiteti Luiss Guido Carli në Romë; prof. Augusto Preta – ekspert i ekonomisë së mediave nga Italia, etj.
Në fjalën e tij, z. Dervishi, bëri një panoramë përmbledhëse për funksionet e Autoritetetit, duke njohur të pranishmit me bazën ligjore për ushtrimin e dy të drejtave kushtetuese, të drejtën për informim dhe mbrojtjen e të dhënave personale. Një aspekt me shumë rëndësi për Zyrën e Komisionerit është balancimi i këtyre të drejtave, në funksion të rritjes së transparencës së Autoriteteve Publike ndaj qytetarëve dhe opinionit publik, nga njëra anë, por duke respektuar me rigorozitet privatësinë e tyre.
Gjithashtu në fjalën e tij, Komisioneri vlerësoi si shumë të rëndësishme edhe trajtimin në përputhje me aspektet ligjore të raportit mes zhvillimeve të vrullshme teknologjike dhe privatësisë e mbrojtjes së të dhënave personale – veçanërisht, revolucioni i rrjeteve sociale, një nga çështjet më të debatueshme në ditët e sotme. Paralelisht, një vëmendje e posaçme duhet t’i kushtohet politikave të koordinuara mes aktorëve institucionalë, jetësimit të praktikave të unifikuara evropiane dhe sidomos, ngritjen e forcimin e kapaciteteve instutcionale.