|

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale mori pjesë në eventin e organizuar nga Qendra “Res Publica” mbi “Programet e Transparencës sipas ligjit “Për të drejtën e informimit”

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga Qendra “Res Publica” mbi “Programet e Transparencës sipas ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”.

 

Komisioneri, në fjalën e tij, theksoi se ligji nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” reflekton praktikat dhe eksperiencat më të mira ndërkombëtare, ku e drejta për informim trajtohet bashkërisht me mbrojtjen e të dhënave personale. Këto janë dy fusha që duhet të vendosin një balancë ndërmjet tyre, që privatësia e individit të mbrohet edhe kur jepet informacion për dokumentacionin zyrtar. Monitorimi dhe garantimi i këtyre dy të drejtave, kërkon angazhimin e Zyrës së Komisionerit, por nga ana tjetër kërkon bashkëpunimin me të gjithë aktorët e shoqërisë civile, publikun e gjerë dhe natyrisht, angazhimin e Autoriteteve Publike. Në këtë takim, z. Dervishi prezantoi për të pranishmit Urdhrin nr.14 datë 22.01.2015 të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale “Për miratimin e Programit Model të Transparencës” nëpërmjet të cilit janë miratuar të gjitha aktet e parashikuara në ligjin “Për të drejtën e Informimit”, si dhe akte të tjera të cilat i vijnë në ndihmë qytetarëve dhe vetë Autoriteteve Publike.