Search

Konferenca “Sfidat e Privatësisë”

Zyra e Komisionerit mori pjesë në konferencën me temë “Sfidat e Privatësisë”, të organizuar nga Drejtoria e Mbrojtjes së të Dhënave Personale të Republikës së Maqedonisë, në Shkup, në datat 21 dhe 22 qershor. Pjesëmarrja në këtë aktivitet është një kontribut në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Autoriteteve të dy vendeve tona, por edhe shprehje e forcimit të ndërveprimit institucional në kuadrin rajonal.

Në këtë konferencë, ku u diskutua mbi sfidat e privatësisë dhe përputhjen e tyre me zhvillimet e reja teknologjike, morrën pjesë përfaqësues të Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave Personale nga disa vende të Ballkanit Perëndimor, të Këshillit të Europës, CNIL (Autoriteti francez), GIODO (Autoriteti polak), të kompanive Google, Facebook, etj.

Zyra e Komsionerit, në prezantimin e saj në këtë konferencë, evidentoi aktivitetin intensiv të institucionit tonë në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale në një sërë sektorësh të rëndësishëm ekonomiko-social të vendit. Një aspekt i veçantë, ishte edhe kontributi i Autoritetit shqiptar në ngritjen dhe forcimin e urave të bashkepunimit rajonal, në planin dy dhe shumëpalësh. Theksi në këtë prezantim u vu edhe te marrëveshja mes Zyrës së Komisionerit dhe Autoritetit homolog të Republikës së Italisë, si një nga bashkëpunimet më të frytshme në aspektin e shkëmbimit të eksperiencës dhe informacionit në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale.

Gjatë prezantimit të pranishmit u informuan edhe me pjesëmarrjen aktive të institucionit tonë në shumë konferenca ndërkombëtare, në të cilat një vëmëndje e veçantë i është kushtuar edukimit digjital. Zyra e Komisionerit ftoi, me këtë rast, përfaqësuesit e Autoriteteve homologe, por edhe më gjerë, të marrin pjesë në “XXVII Case Handling Workshop”, aktivitet i cili do të zhvillohet në Tiranë, në datat 28 dhe 29 shtator.