Search

Takimi i 32-të i Komitetit Konsultativ T-PD

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale mori pjesë në takimin e 32-të plenar (i përvitshëm) të Komitetit Konsultativ (T-PD) të Konventës  për Mbrojtjen e Individëve nga Përpunimi Automatik i të Dhënave Personale (Konventa 108), që u zhvillua në selinë e Këshillit të Evropës në Strazburg të Francës, në datat 1-3 korrik 2015.

Agjenda e takimit përfshiu një gamë të gjerë problematikash e çështjesh, të cilat janë subjekt i përmirësimeve të vazhdueshme ligjore, e ku Zyra e Komisionerit shqiptar ka dhënë një kontribut të rëndësishëm e të vlerësuar nga partnerët ndërkombëtarë. Komiteti diskutoi ndër të tjera për “Përmirësimin e Konventës 108 të Këshillit të Evropës”; “Mbrojten e të Dhënave Personale dhe organet e rendit”; “Mbrojtjen e të Dhënave Personale në sektorin shëndetësor” – ku Zyra e Komisionerit ka qënë pjesë aktive e grupit të punës; “Shkëmbimin automatik të të Dhënave Personale”; “Përpunimin e të Dhënave” (në përgjithësi); “Bashkëpunimin mes organizmave të Këshillit të Evropës”; “Parandalimin e Terrorizmit – CODEXTER”; “Bashkëpunimin ndërkombëtar e rajonal” të Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave Personale, etj.

Komisioneri, z. Besnik Dervishi, bëri, për delegacionet e pranishme në takimin e T-PD, një panoramë të përmbledhur të aktivitetit të institucionit për periudhën 1-vjeçare, maj 2014 – maj 2015. Ai nënvizoi se puna e Zyrës së Komisionerit është fokusuar si në aspektin e përmirësimit administrativo-ligjor, ashtu edhe në zgjerimin e gamës së sektorëve, ku kontrollet dhe masat janë shtuar ndjeshëm, në pikëpamjen sasiore dhe në atë cilësore. Z. Dervishi, theksoi se gjatë kësaj periudhe i është kushtuar vëmëndje bashkëpunimit ndërkombëtar dhe atij rajonal, në pjesëmarrjen aktive me prezantime të Zyrës së Komisionerit në shumë aktivitete e konferenca. Komisioneri tha se marrëveshja me Autoritetin homolog të Republikës së Italisë në shkurt të 2015, është shenjë e besimit dhe erës së re të marrëdhënieve ndërinstitucionale të Zyrës së Komisionerit me partnerët e huaj.

Z. Dervishi i njohu të pranishmit edhe me zhvillimin e punimeve të Takimit të 17-të të Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave Personale të Evropës Qëndrore dhe Lindore (CEEDPA) që u zhvilluan në Durrës në fund të muajit prill 2015. Komisioneri, po ashtu vlerësoi si mjaft pozitive plotësimin e “Pyetësorit për të Dhënat Mjekësore” të Komiteti Konsultativ (T-PD), rezultatet përfundimtare të të cilit, nga të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Evropës, do të shërbejnë për të përmirësuar Konventën 108 në këtë fushë të mbrojtjes së të dhënave personale. U vlerësua nga të pranishmit edhe organizimi, tashmë i përvitshëm, nga Zyra e Komisionerit të aktivitetit për Ditën Evropiane të Mbrojtjes së të Dhënave Personale në 28 janar 2015, si një event me mjaft ndikim në njohjen e qytetarëve me këtë të drejtë kushtetuese dhe respektimin e saj. Z. Dervishi ftoi Autoritetet pjesëmarrëse të takimit të 32-të të Komitetit T-PD që të marrin pjesë në “XXVII Case Handling Workshop” që do të zhvillohet në Tiranë në datat 28 dhe 29 shtator 2015.

Diskutimi aktiv i temave dhe çështjeve në këtë takim 3-ditor do t’i shërbejë përmirësimit të vazhdueshëm për arritjen e standardeve dhe praktikave më të mira.