3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit mes KDIMDP dhe AMA

Sot në mjediset e Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit me Autoritetin e Mediave Audiovizive, nga titullarët e dy institucioneve, z. Besnik Dervishi dhe z. Gentian Sala.

Ky dokument është një bazë solide për koordinimin e punës mes dy Autorireteve tona në procesin e monitorimit të zbatimit të akteve ligjore në fushat respektive dhe në bashkëpunim të ndërsjellët. Kjo marrëveshje i jep rëndësi të veçantë trajtimit në përputhje me dispozitat e ligjit përkatës të të dhënave personale të qytetarëve nga ana e medias, por, njëkohësisht, i nxit ato të ushtrojnë në mënyrë të balancuar të drejtën për informim.

Z. Dervishi, theksoi se kjo marrëveshje vjen edhe si rezultat i përmbushjes së rekomandimeve të progres-raportit të vitit të kaluar të Bashkimit Evropian për Shqipërinë. Një prej këtyre rekomandimeve ishte edhe marrja e masave nga mediat për mbrojtjen e të dhënave personale, veçanërisht, e atyre të të miturve. Marrëveshja e nënshkruar sot, është gjithashtu, edhe përmbushje e rekomandimeve për vitin 2015 të rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë të vitit 2014 për Zyrën e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Ndërsa, z.Sala vlerësoi se institucioni që ai drejton është i angazhuar të kontribuojë në forcimin e kulturës demokratike në vend, duke i cilësuar fushat e mbrojtjes së të dhënave personale dhe atë të të drejtës për informim garanci për një mjedis mediatik mbi baza ligjore, të zhvilluar teknologjikisht dhe në shërbim të edukimit të qytetarëve, e veçanërisht, brezit më të ri.

Dokumenti parashikon, ndër të tjera, koordinimin dhe bashkëpunimin e punës mes dy Autoriteteve në drejtime të tilla si: hartimin dhe rishikimin e programeve të transparencës; hartimin e kodit/kodeve të etikës të mediave audiovizive; të propozojnë përmirësime ligjore e nënligjore në fushën e të drejtës për informim dhe mbrojtjen e të dhënave personale; të nxisin sensibilizimin e opinionit publik me qëllim rritjen e ndjeshmërisë për mbrojtjen e të dhënave personale në fushën e mediave audiovizive; sëbashku me shoqatat e subjekteve audio dhe audiovizualë, si dhe me shoqatat për mbrojtjen e fëmijëve, të rrisin përgjegjësinë dhe standardet profesionale të gazetarëve dhe punonjësve të tyre, në veprimtari të përbashkëta, për eliminimin e rasteve të shkeljeve të të dhënave personale të të miturve në programet audio dhe audiovizive.

Marrëveshjae bashkëpunimit