E drejta për informim, shkëmbim eksperience me Autoritetin kroat

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, priti znj. Anamarija Musa, Komisioner për të Drejtën e Informimit të Kroacisë. Ajo ndodhet në vendin tonë në cilësinë e ekspertes së SIGMA (Support for Improvement in Governance and Management – Mbështetje për Përmirësimin e Qeverisjes dhe Menaxhimin), organizëm i OECD (Organisation for Economic Co-operation and Development – Organizata për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin).

Z. Dervishi e njohu homologen e tij kroate me punën e Zyrës së Komisionerit që prej hyrjes në fuqi të ligjit Nr. 119/2014 “Për të Drejtën për Informim”, në vjeshtën e vitit të shkuar. Gjatë kësaj periudhe institucioni ka trajtuar një numër të madh ankesash, me një spektër të gjerë problematikash, një pjesë e konsiderueshme e të cilave janë zgjidhur me ndërmjetësim.

Znj. Musa mbajti një prezantim për stafin e Zyrës së Komisionerit, teksa solli përvojën kroate në këtë fushë, duke e venë theksin te binomi i luftës kundër korrupsionit nëpërmjet rritjes së transparencës nga Autoritetet Publike. Një vëmendje e veçantë iu kushtua rasteve konkrete të zbatimit të kësaj të drejte në praktikë, si procesi i konsultimit publik të akteve legjislative; përcaktimi i saktë i listës së Autoriteteve Publike; funksioni i koordinatorit në organet e qeverisjes qendrore, rajonale e vendore; procesi i rregullt i raportimit të tyre te Zyra e Komisionerit kroat; ndërsa, u trajtuan edhe aspekte të funksionimit administrativ të këtij institucioni.

Zyra e Komisionerit dhe SIGMA po menaxhojnë një projekt të përbashkët, fokusi i të cilit është rritja dhe konsolidimi i kapaciteteve administrative të institucionit. Për këtë qëllim, SIGMA ka ofruar ekspertizën e saj në drejtim të standardeve dhe praktika më të avancuara, për njohjen e plotë të publikut me të Drejtën për Informim dhe zbatimin e ligjit Nr. 119/2014 nga Autoritetet Publike.

Zyra e Komisionerit nxit qytetarët që të ushtrojnë të drejtën për t’u informuar nga Autoritetet Publike, ndërsa do të vijojë që t’i kushtojë një vëmendje të veçantë fushatave informuese për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për ushtrimin e kësaj të drejte kushtetuese.